Solomon dhe VAR na ndëshkojnë, Shqipëria dorëzohet në pjesën e dytë

by admin
Spread the love

Shqipëria zhgënjen në debutimin shtëpiak në Nations League, pasi mundet 2-1 në “Air Albania” nga Izraeli, duke kompromentuar shanset për të zënë vendin e parë në grup.

Kuqezinjtë kanë luajtur më mirë në pjesën e parë, ku kanë arritur të gjejnë avantazhin me Brojën nga pika e bardhë, por janë fikur në pjesën e dytë, që është dominuar nga miqtë, që shënojnë 2 gola me Solomon. Protagonist ka qenë edhe VAR, që i ka anuluar një gol dhe një penallti skuadrës shqiptare.

Humbja e sotme është një goditje e rëndë për kombëtaren kuqezi, pasi zvogëlohen ndjeshëm shanset për të zënë vendin e parë në grup.

Nën reshjet e dendura të shiut, Shqipëria mundohet të diktojë lojën e saj përballë Izraelit, që në minutat e para të sfidës mbrohet mirë, madje janë miqtë ata që rrezikojnë të parët me Abada, por gjuajtja e tij përfundon jashtë.

Më kalimin e minutave djemtë kuqezi rrisin presion dhe fillojnë të shfaqen rrezikshëm në sulm me Brojën dhe Uzunin. Beratasi pretendon një penallti, por për gjyqtarin nuk ka faull. Një minutë më vonë është sërish Uzuni protagonist, që merr një top në zonë, por kundërshtari e prek me dorë. Gjyqtari akordon penallti për Shqipërinë, por pas ndërhyrjes së VAR, 11-metërshi anulohet.

Kuqezinjtë nuk demoralizohen dhe vazhdojnë të krijojnë duke sulmuar në kërkim të golit të avantazhit. Izraeli mbrohet mirë dhe zbret rrezikshëm, duke iu afruar golit me Vitor.

Broja tërheq përpara skuadrën tonë dhe vë në vështirësi mbrojtjen izraelite. Në minutat e fundit të pjesës së parë, pas një kombinimi të bukur në zonë, Balliu pengohet nga kundërshtarët dhe kësaj radhe penalltia vlen. Broja tregohet i saktë dhe shënon golin e avantazhit për skuadrën e Rejas.

Shqipëria nis vrullshëm pjesën e dytë në kërkim të golit të sigurisë, por janë miqtë ata që barazojnë shifrat me Manor Solomon, që shënon një gol shumë të bukur. Kuqezinjtë hutohen nga goli i kundërshtarit dhe rrezikojnë të pësojnë edhe golin e dytë pak minuta më vonë.

Reja bën disa zëvendësime, por Shqipëria ka humbur shkëlqimin dhe duket e përhumbur në fushë. Izraelitet i afrohen sërish golit të dytë, por Berisha nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë. Janë miqtë ata që dominojnë dhe përmbysin gjithçka me Solomon, që shënon golin e dytë për Izraelin.

Shqipëria reagon menjëherë dhe barazon me Hysaj, por goli i tij anulohet nga VAR për një prekje të topit me dorë.  Kuqezinjtë hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit, por Balliu nuk arrin të mposhtë portierin Marciano.

Reja hedh në fushë Çekiçin, Balaj dhe Vrionin, duke shtuar forcat në sulm në kërkim të golit të barazimit. Por në minutat e mbetura janë miqtë që i afrohen golit të tretë. Nuk ndryshon rezultati dhe Shqipëria nuk arrin që të evitojë humbjen e parë në grup. / Oversport.tv

Nations League –Liga B / Grupi 2

Shqipëri-Izrael 1-2

Broja 45+2’ (pen) / Solomon 57’, 73’

You may also like