Sherri në ndeshjen Erzeni – Partizani, procedohen penalisht 4 lojtarë

by admin
Spread the love

Në ndeshjen mes Erzenit dhe Partizanit U-21 ditën e djeshme kishte skena të turpshme. Dhuna mes protagonistëve shpërtheu në “Tofik Jashari” në Shijak, për të cilën policia nuk ishte vënë në dijeni të kësaj ndeshjeje.

Kjo sfidë do të përfundonte 2-2 dhe në fund të saj futbollistët kanë nisur  të godasin njëri tjetrin, ndërsa nuk kanë ndaluar as të sharat.  Pas kësaj situate Policia ka njoftuar se ditën e sotme janë proceduar penalisht 4 lojtarë nga të dy ekipet.

Gjithashtu të gjitha materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

“U konfliktuan fizikisht dhe dëmtuan ambientet e dhomave të zhveshjes, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit “Erzeni-Partizani”, procedohen penalisht 4 lojtarë të 2 ekipeve të kategorisë U-21.

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 14:00, ndërmjet lojtarëve të ekipeve të kategorisë U-21, “Erzeni” dhe “Partizani”, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet tyre, në fushën sportive “Tofik Jashari” (aktivitet për të cilin nuk ishte njoftuar Policia), ju informojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, për 4 lojëtarë të 2 ekipeve të futbollit, konkretisht shtetasit J. H., 20 vjeç, R. Ç., 20 vjeç, J. S., 18 vjeç dhe M. D., 22 vjeç.

Pas përfundimit të ndeshjes, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin dhe kanë dëmtuar ambientet e dhomave të zhveshjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

You may also like