Luanesha e arratisur mban në ankth Berlinin, mobilizohet edhe Antiterrori në gjueti

by admin
Spread the love

Operacioni i kërkimit për një luaneshë endacake që mban prej 24 orësh në ankth Berlinin, vijon prej policisë gjermane. Autoritetet kanë rrethuar një zonë pyjore në Berlinin jugor, ku dyshohet se luanesha endet, ndërsa gjatë natës së të enjtes kërkimet u pezulluan.

Qindra oficerë ku përfshihen forca komando, flota me dronë, helikopterë dhe një automjet i blinduar i Antiterrorit, i njohur si ‘The Survivor’ janë angazhuar në gjuetinë për kafshën e rrezikshme.

Policisë i janë bashkuar gjahtarët profesionistë dhe veterinerët, të armatosur me armë qetësuese dhe pistoleta, në një përpjekje për të kapur në mënyrë të sigurt luaneshën, që besohet të jetë një kafshë shtëpiake private.

‘Survivor’ përdoret zakonisht në operacionet kundër terrorizmit, duke dhënë një shenjë se sa seriozisht po e trajton policia gjermane misionin për të gjurmuar macen gjigande.

Gjuetia nisi në orët e para të ditës së djeshme në rrethin e Kleinmachnow pasi banorët vunë re luaneshën. Tabloidi gjerman Bild ka përdorur gjeo-softuer për të identifikuar vendin ku u raportua se ishte parë ajo dhe pretendon se ishte vetëm 30 metra larg një rezidence.

Dy zjarrfikës gjithashtu pretenduan se e kishin pikasur luaneshën pasditen e djeshme, sipas policisë.

Zëdhënësi i policisë gjermane Daniel Keip tha se “në verë, shpesh dëgjon raportime për krokodilët në liqene dhe më pas del se ishte një rosë e madhe”.

“Në këtë rast, padyshim që është plotësisht e vërtetë. Kemi të bëjmë me një luaneshë që bredh lirshëm nëpër Teltow, Stahnsdorf dhe Kleinmachnow”, saktësoi ai.

Sakaq, ndër masat që janë ndërmarrë për të shmangur kontaktin me luaneshën, është ndalimi i vrapuesve për të hyrë në pyll nga oficerët.

Kryetari i bashkisë së Kleinmachnow, Michael Grubert tha se nuk ishte koha për të vrapuar në pyll.

Kryebashkiaku Grubert u kërkoi dje banorëve që të vazhdojnë të marrin parasysh këshillat e policisë ‘të mos dalin nga shtëpia nëse është e mundur‘ dhe të mbajnë kafshët shtëpiake brenda.

Komuna e Kleinmachnow vendosi të mbajë qendrat e kujdesit ditor të hapura, por i kërkoi stafit të mos dilte me fëmijët, pasi luanesha u pa gjatë natës duke ecur nëpër arat me drithëra pranë Kleinmachnow.

Tregtarëve në një treg lokal gjithashtu iu kërkua të mos ngrinin tezgat e tyre.

Meqenëse asnjë kopsht zoologjik apo cirk nuk ka raportuar për një luaneshë të zhdukur, policia beson se ajo duhet të jetë një kafshë shtëpiake e arratisur.

Michel Rogall, një drejtor cirku në periferi fqinje të Teltow, i cili u zgjua nga policia në orën 2 të mëngjesit dje, tha se kafsha mund të mos ishte fare luan.

“Nuk e dimë nga erdhi”, tha ndërkohë një zëdhënës i policisë.

Pavarësisht këshillave të shumta nga qytetarët, asnjë nga informacionet nuk ka çuar në vendndodhjen e saktë të luaneshës deri më tani. Policia në një përditësim në orën 6:23 të mëngjesit tha se “kafsha e egër që po ikën nuk është gjetur ende”.

“Ne ende ju kërkojmë që të mos dilni nga shtëpia. Nëse e shihni kafshën, telefononi në numrin e urgjencës 110!”, thuhej aty.

You may also like