Identifikohen 130 fëmijë rruge në Kosovë – Shqip

by admin
Spread the love

Në tetë komuna të Kosovës janë identifikuar 130 fëmijë që janë në rrugë, thuhet në raportin “Fëmijët në rrugë”, të publikuar nga zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Në raport thuhet se fëmijët e rrugës janë të moshës nga 6 deri në 17 vjeç dhe në 80 për qind të rasteve i përkasin komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Ziherman, tha se 95 për qind e tyre e shohin varfërinë si arsyen kryesore të daljes në rrugë. Siç tha ajo, fëmijët më së shumti detyrohen nga familjet të dalin në rrugë, pavarësisht rreziqeve. Ajo theksoi se vetëm 1/4 e këtyre fëmijëve ndjekin shkollën. Ziherman tha se ky fenomen mund të ndalet me ndërhyrje më të fuqishme në familje.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se fëmijët e rrugës janë një shqetësim që shtrihet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën. Ai tha se Bashkimi Evropian dëshiron të shohë forcimin e legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe zbatimin sa më të mirë të ligjeve që janë në fuqi.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve

“Ligji për mbrojtjen e fëmijëve, i cili është miratuar në vitin 2019, vazhdon të përballet me vështirësi në zbatimin e tij. Një numër tjetër ligjesh janë të nevojshme për të mundësuar zbatimin e plotë të ligjit”, tha Szunyog. Ai shtoi se në këtë kontekst është e nevojshme edhe përkrahja financiare nga komunat për ofrimin e shërbimeve sociale.

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se fëmijët janë kategoria më e ekspozuar ndaj rrezikut të trafikimit të qenieve njerëzore, dhunës, shfrytëzimit, varfërisë, mungesës së arsimit dhe dukurive tjera që kërcënojnë jetën dhe shëndetin e tyre.

“Ministria e Drejtësisë ka bërë një punë të mirë që nga viti 2023, ku përmes një thirrjeje publike me buxhet prej 1.5 milionë euro ka mbështetur 35 organizata të shoqërisë civile që kanë mandat të ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Pjesë e kësaj mbështetjeje ishin programet që ofrojnë mbrojtje dhe kujdes social, shërbime psiko-sociale dhe edukative për fëmijët në rrugë”, theksoi Haxhiu.

Numri më i madh i fëmijëve në rrugë është regjistruar në Prishtinë, 39 fëmijë, pasuar nga 20 fëmijë në Ferizaj, 20 fëmijë në Gjakovë dhe 18 fëmijë në Prizren. Në momentin e intervistës, 46 për qind e fëmijëve ishin me prindër/kujdestarë në rrugë, më pak se një e katërta ishin me vëllezër e motra, 17 për qind ishin me bashkëmoshatarë dhe 11 për qind ishin vetëm në rrugë.

Më shumë se gjysma ose 58 përqind e fëmijëve të identifikuar të rrugës ishin djem, ndërsa 42 përqind ishin vajza. /tesheshi.com/

You may also like