Bergomi: Dybala nuk do të ishte funksional te Interi aktual

by admin
Spread the love

Dybala dhe Juventusi nuk do të rinovojnë bashkëpunimin mes tyre dhe në fund të sezonit do të vijë lamtumira pas 7 viteve të kaluar së bashku. Në një intervistë të dhënë për “Sky Sport 24”, ish-legjenda e Interit, Beppe Bergomi ka folur për argjentinasin:

“Vazhdoj të mendoj që Dybala është Juventusi. Dhe e kam të vështirë ta shoh në një skuadër tjetër italiane. Është e vërtetë që ka qenë për 7 vite në Torino dhe nuk u bë dot një flamur i ekipit, por për mua Dybala është Juventusi.

Më vjen keq që shoh si përfundoi ky bashkëpunim, siç më erdhi keq kur Donnarumma u largua nga Milani apo Insigne që do të shkojë në Kanada. Një notë për historinë e tij me fanellën bardhezi? 7.5 ose 8 besoj se është e drejtë”, ka thënë Bergomi.

Shumë skuadra kërkojnë të bëjnë të vetin argjentinasin dhe një prej tyre është edhe Interi: “Nuk e shoh shumë funksional te zikaltërit. Roli i tij është si sulmues i dytë, por ka nevojë për një shok reparti me karakteristika të ndryshme nga Dzeko.

Është i fortë teknikisht dhe di të lexojë lojën, por kujt do t’ia jepte topin në thellësi? Interi sulmon shumë nga krahët, por do të mungonte pika e referimit në sulm.

Sigurisht që mund të luajë si sulmues i dytë në skemën 3-5-2, por me organikën që ka sot në dispozicion Interi, Dybala do të haste disa vështirësi”, ka thënë ish-mbrojtësi legjendar i Interit. / Oversport.tv

You may also like