TEL AVIV – Netanyahu mbledh kabinetin e luftës: Mbrojtja jonë e gatshme për sulmet iraniane

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 13 prill /ATSH-AFP/ – Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e tij të luftës në Tel Aviv të shtunën në mbrëmje, ndërsa Irani njoftoi se kishte nisur një sulm me dron dhe raketa nga territori i tij drejt Izraelit.

Netanyahu mblodhi së bashku stafin e tij dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt të sigurisë, duke përfshirë ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant dhe Benny Gantz, ministër pa portofol dhe anëtar i koalicionit të tij qeveritar, në një dhomë bunker në një vend të pazbuluar, sipas një fotografie të publikuar nga shërbimet e tij.

Pak para lajmit për lëshimin e dronëve të Iranit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se sistemet mbrojtëse të vendit të tij ishin të gatshme, sipas BBC.

“Ne jemi gati për çdo skenar, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm. Shteti i Izraelit është i fortë. IDF është e fortë. Publiku është i fortë”, deklaroi ai.

“Ne e vlerësojmë qëndrimin e SHBA-së përkrah Izraelit, si dhe mbështetjen e BM, Francës dhe shumë vendeve të tjera”, theksoi ai.

Irani ka nisur një sulm me dronë nga brenda territorit të tij drejt Izraelit, sipas zëdhënësit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Daniel Hagari.

Media shtetërore iraniane konfirmon se një sulm hakmarrës është duke u zhvilluar ndaj Izraelit, duke thënë se një operacion i gjerë me dron nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) filloi disa minuta më parë, në një raport në televizionin shtetëror.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se vendi i tij ishte i përgatitur për gjithçka.

Presidenti amerikan Joe Biden u kthye në Shtëpinë e Bardhë për “konsultime urgjente”.

Izraeli mbyll shkollat ​​dhe kopshtet dhe ndalon tubimet e më shumë se 1 000 personave./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like