Dobia dhe mbrapshtia nga fjalimi i Ramës në Strasburg

by admin
Spread the love

Abdi Baleta

E vlen të vihet në dukje se fjalimi i Ramës në KiE është rasti i dytë që një kryetar qeverie nga Shqipëria, i vetëdeklaruar vazhdimisht si antinacionalist, mundohet ta shpëtojë fytyrën e tij politike të damkosur, duke u fshehur pas frazave bombastike që përkojnë me vlerat nacionaliste. Do t’u lutesha lexuesve që kanë interes ta kuptojnë këtë mendim që ta rilexojnë edhe një shkrim tjetër që e kam botuar me titullin “Nacionalistë të vonuar dhe antinacionalistët e prapambetur” (“Shenja”, janar 2013). Atëherë mbështesja disa qëndrime të vonuara nacionaliste të kryeministrit Sali Berisha, të bëra gjatë një mitingu në Shkup.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Kur mësova titullin e temës së sugjeruar nga redaksia për këtë numër mbi “krizën energjetike në Europë”, mendova se kisha rastin të bëja një çlodhje në rutinën e punës sime. Mendimi im është se Europa e bota nuk po vuajnë nga ndonjë “krizë energjetike”. Burimet e energjisë nuk kanë shteruar sipas ligjit të fizikës “për ruajtjen e shndërrimin e lëndës”. Në Europë e në botë tani ka një çrregullim të madh në furnizimet me energji, për shkak të një krize gjeostrategjike e gjeopolitike, të krizave të mendjeve njerëzore, që deri energjinë dhe ushqimin i kanë kthyer në armë lufte e prag katastrofash me armë bërthamore. Para pak vitesh kam lexuar librin trullosës “Empire of Chaos” (SHBA, 2014) të gazetarit kozmopolit Pepe Eskobar, me përshkrime e analiza të kacafytjeve e përleshjeve globale për të shtënë në dorë burimet e naftës e të gazit dhe sidomos rrjetin shpërndarës të tubacioneve prej mijëra kilometrash nëpër “Pipelineistan” (zona që përfshin Rusinë, shtetet e Azisë Qendrore, Gjirin Persik, vendet arabe, afrikane etj.,) nga ku Europa thith pjesën më të madhe të energjisë së saj.

* * *

Por u bë shkas fjalimi që mbajti më 12 tetor 2022 kryeministri i Shqipërisë në Këshillin e Europës në Strasburg që më nxiti të rendis disa mendime e vlerësime për të hequr edhe unë një vijë demarkacioni midis ndonjë ane pozitive dhe pjesëve haptazi negative për çështjen shqiptare që janë ndërthurur dinakërisht në këtë fjalim. Rama e vërtetoi edhe njëherë atë që e kemi thënë se kur shkon në forume ndërkombëtare me rëndësi, mendjen e ka si të shpalosë ekzibicionizmin e tij politik e diplomatik, pasionet e obsesionet e tij prej lideri të madh rajonal në Ballkan sesa të përmbushë si duhet misionin e tij shtetëror si kryeministër i Shqipërisë. Tollovitë propagandistike që fjalimi i Ramës në Strasburg i shkaktoi në Këshillin e Europës dhe në politikën e propagandën e Shqipërisë më shtyjnë të rikthehem te disa arsyetime politologjike për tema që i kam trajtuar gjatë tri dekadash.

Mundimin për ta gjetur formulën më të përshtatshme për dobinë më të madhe që ka për shqiptarët fjalimi i Ramës në Strasburg ma lehtësoi titulli “Fjalim i panevojshëm i Ramës apo komente të panevojshme”, i përdorur nga Dritan Hila në “Tema”, më 14 tetor 2022, sidomos vlerësimi i tij i gjetur mirë se: “Fjalimi i Ramës ishte një fjalim i nevojshëm si rekord në Asamblenë e Këshillit të Europës. Përndryshe pas një shekulli një historian do të gjente vetëm raportin e Dik Martit dhe votimin e parë pro (tij) të delegatëve të qeverisë Berisha”. Ndonëse mjaft i vonuar, fjalimi i Ramës e ndreqi disi këtë të keqe. Kurse, e keqja që u bë në vitin 1981, kur unë isha përfaqësuesi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kur në asnjë fjalim zyrtar nuk u përmendën demonstratat në Kosovë, që as nuk u ndreq, as nuk mund të ndreqet më. Disa herë në shkrimet e mia kam shënuar me pezmatim se më ka mbetur peng që një argumentim i imi, si ai që bën Dritan Hila për fjalimin e tanishëm të Ramës, nuk gjeti miratim qeveritar në Tiranë. Është shumë e rëndësishme që në forumet ndërkombëtare çështjet madhore kombëtare e shtetërore të paraqiten qoftë edhe sa për të dhënë mesazhin tënd, edhe nëse prej tyre nuk pritet të vilen fruta të shijshme aty për aty. Këtu qëndron tërë dobia e vlera e fjalimit të Ramës në KiE…

… Por, që ai vetë e përmbysi aty për aty me shumë shtrembërime të fakteve, me vlerësime e koncepte politologjike të gabuara, sidomos me heshtjen rreth faktit se kanë qenë pikërisht serbët të parët që nisën vallen “Karla del Ponte & Dik Marti” dhe me ndihmën e madhe të tyre bënë që Këshilli i Europës ta njolloste luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës. Edhe Rama shkoi shumë larg në manipulimet e tij politologjike mashtruese, duke e cilësuar si armike të shqiptarëve vetëm Rusinë, pa përmendur këlyshin e saj Serbinë, kur dihet se historikisht Rusia armiqësinë ndaj shqiptarëve e ka ngritur dhe motivuar mbi “detyrimin e saj për plotësuar ambiciet antishqiptare të Serbisë”.

Ramën e pamë dhe e dëgjuam në ekrane televizive të hiqej si kryeministër “kamikaz” për interesat kombëtare shtetërore shqiptare, por në të njëjtën kohë ai e humbi krejtësisht busullën e orientimit politik e diplomatik zyrtar, sepse mori rolin që nuk i takonte, atë të shpëtimtarit të interesave të Serbisë e të prestigjit të Vuçiqit, duke sulmuar pa asnjë arsye Europën se qenka ajo që po e hedh Serbinë e Vuçiqin në krahët e Rusisë e të Putinit. Me këtë qëndrim Rama, praktikisht, e radhiti veten dhe Shqipërinë në frontin e atyre shteteve që i kundërvihen strategjisë së Europës e të SHBA-së për sanksionimin e bojkotimin e Rusisë pas agresionit të saj kundër Ukrainës. Me këtë qëndrim, më shumë se Vuçiqin, në fakt Rama e ndihmoi Putinin. Madje, këtë e bëri në mënyrë vulgare, kur komplotin e Dik Martit e quajti vetëm intrigë të kurdisur në Rusi, sikur Serbia e Millosheviqit e Vuçiqit nuk paska të bëjë fare me këtë punë. Kështu, në Strasburg Rama e thelloi edhe më shumë dyzimin e figurës së vet politike e qytetare shqiptare, e theksoi edhe më atë kontrastin e njohur prej kohësh midis rolit të tij zyrtar dhe vetes së tij shpirtërore, të zëdhënësit për politikën shqiptare, por dhe të avokatit për politikën serbe.

Këto qëndrime janë zhvleftësimi më i madh i fjalimit të Ramës nga vetë Rama. Kjo është rrjedhojë e portretit politik, prirjeve intelektuale dhe shpirtërore që kemi vënë re me kohë të shpërfaqen e zmadhohen tek kryeministri i Shqipërisë. Ndryshe nga paraardhësit e tij në ofiqin e kryeministrit, Edi Rama stërvitjet e para politike i ka bërë si propagandist i zhurmshëm në fushën e publicistikës e të gazetarisë që në zanafillën e zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Ai arriti të bëhej shpejt figurë bubulluese, me ambicie të mëdha karrieriste politike, që vuri në vështirësi edhe protagonistët kryesorë të Partisë Demokratike të sapofomuar dhe të planifikuar nga Ramiz Alia të kapte sa më shpejt levat e pushtetit qeverisës. Edi Rama u shfaq që në fillim si rival i fortë i Azem Hajdarit për nga dinamizmi demagogjik i fjalimeve me parulla kumbuese para turmës së eksituar dhe dëshmoi se kishte aftësi më të spikatura për shtjellimet letrareske të problemeve politike se Sali Berisha. Megjithatë, regjisorët e vënies në skenë të dramës së “pluralizmit politik” në Shqipëri, Ramën për disa vite e lanë jashtë strukturave partiake derisa ai më në fund pa t’i hapej dera e karrierës së madhe nëpërmjet Partisë Socialiste, që kishte marrë rolin e trashëgimtares testamentare ligjore të Parisë se Punës. Kur dështoi Fatos Nano, lideri politik historik i Partisë Socialiste, fanatikët enveristë, veteranë e rishtarë ambiciozë, panë tek Edi Rama figurën më të përshtatshme për të ringjallur imazhin e Enverit dhe nuk ngurruan ta parapëlqenin atë e jo Ilir Metën ose Rexhep Meidanin si zëvendësues të Nanos. Këtu nisi starti i vrapimit të vrullshëm të Ramës drejt politikës autoritariste, që sot ka marrë përpjesëtimet më të frikshme, aq sa në Shqipëri është përhapur gjerësisht mendimi se nuk ka më bajloz që mund t’i dalë përballë në mejdanin e luftës për marrjen e mbajtjen e pushtetit të tij autoritarist, voluntarist e prepotent deri në skajshmëri.

Kjo psikologji ka filluar të turbullojë edhe perceptimet e veprimet e politikanëve e të deputetëve të forumeve europiane, çka shpjegon edhe humbjen e ekuilibrit të deputetëve të Asamblesë së KiE në Strasburg, që bënë gjestin e shëmtuar politik e diplomatik të bojkotimit të një darke, ku i kishte ftuar kryeministri shqiptar. Ky bojkotim vlen shumë për të qartësuar pse vite më parë intrigat serbo-ruse nëpërmjet Karla del Pontes e Dik Martit patën sukses në miratimin e rezolutës famëkeqe të Këshillit të Europës, për të cilën Rama përsëri, me të drejtë, kërkoi të zhvleftësohej e anulohej me një rezolutë të re, që ky Këshill të lante disi mëkatin e turpin e vet të pashembullt në analet e diplomacisë europiane. Por, të ftuarit nga Këshilli i Europës në darkën e Ramës ndoqën thirrjet e çjerra të një deputeteje serbe dhe të deputetes “zonjë” greke, Nina Kasimatis, dhe e zhytën Këshillin në një gjest edhe më kompromentues. Rama bëri mirë që edhe këtë bojkotim e komentoi me sarkazëm.

Rama as me mënyrën e tij të të folurit sui generis nuk u ka rënë aspak më qafë atyre që në Këshillin e Europës miratuan dikur e nuk po e anulojnë tani “rezolutën Dik Marti”, as atyre që kurdisën e mbajnë në këmbë Gjykatën Speciale famëkeqe kundër luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, as atyre që mbajnë mbyllur në geto popullin e Kosovës dhe po kërcënojnë t’i rikthejnë në geto edhe shqiptarët e Shqipërisë. Por, fatkeqësisht në komentet e disa politikanëve dhe të shtypit në Shqipëri pati jo pak raste qëndrimesh në frymën e deklaratës së grekes Nina Kasimatis. Madje, Sali Berisha nuk e la t’i kalonte rasti për ta bërë gjestin më të shëmtuar të servilizmit ndaj diplomacisë së Greqisë, duke sulmuar me emër presidentin e Turqisë, që s’kishte fare lidhje me këto punë.

Deri këtu Rama kishte çaste të mira dhe ishte në të drejtën e tij të jepte mësime morale, politike e diplomatike në sallën e KiE-së, se shqiptarët kanë të drejtë të ankohen dhe se për shqiptarët tashmë ka ardhur koha që zemërimin e tyre ta përçojnë edhe nëpërmjet kryeministrave e pushtetarëve të tyre të tjerë. Në Bruksel, Rama mendoi se e arriti pjesërisht këtë synim, duke iu referuar shkrimeve të Albert Kamysë mbi “Mitin e Sizifit”. Në Strasburg, thanë disa vëzhgues, ai u mbështet më tepër tek filozofia e shkrimtarit çek Kafka. Por, atij në sallën e KiE-së i duhej gjithashtu një fjalim me më shumë profil e kolorit letrar shqiptar si për nga “frymëzimi”, ashtu dhe për nga stili i të bërit politikë të madhe ekzibicioniste e impresionuese në arenën ndërkombëtare ose edhe për nga stili i shtjellimit të mendimeve e paraqitjes figurative të tyre. Prandaj, fjalimi i Ramës në Strasburg e kishte dhe fizionominë politiko-letrare të një fjalimi të mbajtur nga kryeministri shqiptar Fan Noli në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë në vitin 1924, ku ky kryeministër disamujor (i vendosur në karrige pas një grushti shteti) kishte shkuar si lypsar për ndihmë ekonomike e financiare, por për tangërllëkun e tij të politikanit amator u kthye në një përgojues të vlerave të demokracisë e të parlamentarizmit europian. Imitimi i idhullit të tij, Fan Nolit, do ta ketë trimëruar Ramën që në Strasburg ta tepronte në disa pika me shpalosjen e mendësive dhe të stilit nolist dhe të dukej disi i mërzitur e i lodhur që i kanë mbetur në derë e në dorë, si patate e nxehtë e qeverisë, aq gjatë punët rrumpallë të shtetit brenda vendit dhe ato të botës. Këtë portret politik të tij e paraqiti Rama në Strasburg, duke prodhuar pakënaqësi, ashtu si Noli në Lidhjen e Kombeve, dhe në përgjithësi kur të vegjlit e kanë fatin e keq që flasin ashtu siç mendojnë dhe ndeshen në mjediset “më demokratike” ndërkombëtare vetëm me arrogancën dhe jo me dëshirën për të kërkuar më parë të vërtetën. Gjithë veprimtarinë e tij politike Rama është përpjekur ta ndërtojë sipas portreteve të Ismail Qemalit e të Nolit, duke besuar se kështu nuk bien në sy sjelljet edhe metoda e enverizmit që spikasin tek ai. Me këto pozime të nolizmit përballë dhe të enverizmit në profil, Rama edhe njëherë e nervozoi shumë Sali Berishën dhe Ilir Metën, që e shfrytëzuan fjalimin e Strasburgut si një rast të artë për të lëshuar kundër Ramës gjithë arsenalin e tyre propagandistik turpërues.

Rama bëri gafën e madhe se u vu haptazi dhe shëmtueshëm disa herë në funksionin e mercenarit diplomatik për të zbukuruar politikën e Serbisë e, sidomos, figurën millosheviqiane të Vuçiqit. Kryeministri shqiptar revizionoi në të mirë të Serbisë, deri qëndrimet e pikëpamjet e konsoliduara në politikën shqiptare për natyrën e marrëdhënieve me Serbinë. Ai i quajti rrëmujë, trazira dhe, thjesht, “konflikt njerëzor” dukuritë e rënda të gjenocidit, të spastrimit etnik dhe agresionin e pandërprerë të Serbisë kundër Kosovës e Shqipërisë. Ai na e portretizoi Vuçiqin si një politikan që paska rënë në hall të madh, si i keqtrajtuar edhe nga serbët, që kanë votuar në shumicë për të, edhe nga ndërkombëtarët; si një kryetar shteti të Serbisë së Madhe, që u dashka mëshiruar, ndihmuar e inkurajuar që të mos prishet më, siç po e këshillon Europa. Rama bëri, faktikisht, fajtore Europën se paska vënë Serbinë në vështirësi të kota. Rama u bë i pari pushtetar i lartë i Shqipërisë që e përqafoi strategjinë dhe e mbështeti tezën fatkeqe të krijimit të “kombit kosovar”, madje këtë e cilësoi vetëm si komplot rus, pavarësisht se termat “komb kosovar” e kanë së pari autorësinë dhe reklamimin e renegatëve kombëtarë shqiptarë në Tiranë e në Kosovë. Rama e bëri atë që s’duhej ta bënte kur u thoshte parlamentarëve europianë se me Vuçiqin po kuptohet mirë, por si t’ia bëjë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin nuk merret dot vesh(!).

Edhe pse kishte shkuar në Strasburg t’i denonconte intrigat e komplotet antishqiptare, sipas skemës së Karla del Pontes e të Dik Martit, Rama nuk ngurroi të vihej faktikisht në krah të Rusisë, duke qortuar Europën se ishte ajo që i binte në qafë presidentit serb Vuçiq dhe po e shtynte atë në krahët e Putinit. Rama kërkoi nga Europa indulgjencë politike e diplomatike për Serbinë, që të mos përfshihet në sanksionet e vendosura kundër Rusisë. Me këtë gjest diplomatik, në fakt, kryeministri i Shqipërisë e vendosi veten në krah të Rusisë edhe më shumë se Vuçiqi. Me këto qëndrime Rama dëshmoi se sa e gabuar ka qenë e mbetet për shtetin shqiptar diplomacia e tipit nolist dhe, më vonë, enverist, nanoist e berishist në ndërtimin e marrëdhënieve me Serbinë e me Rusinë.

Pika më e errët, ndoshta misteri i vërtetë, në fjalimin e Ramës do të mbetet pikërisht ajo se pse kryeministri i Shqipërisë kishte shkuar në Këshillin e Europës me gjithë atë vrull oratorik? Kishte shkuar të mbante një fjalim nolian e kafkian, që ta shkundte më fort ndërgjegjen e njollosur me padrejtësitë që kishte bërë Këshilli i Europës në kurriz të Kosovës, kur miratoi raportin e Dik Martit e Gjykatën Speciale kundër luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës apo kishte shkuar se donte ta maskonte vazhdimësinë e politikës e të agresionit gjenocidal të sotëm serb kundër Kosovës, që të mbahet gjallë marrëzia diplomatike për Serbinë e Madhe, të quajtur “Open Balkans”? Apo kishte shkuar që me stuhitë e vrullshme të fjalëve qortuese për KiE-në e diplomacinë europiane (në thelb me vend e të drejta) të maskonte para opinionit publik shqiptar e europian avokatinë e shëmtuar që po i bënte Serbisë së Vuçiqit dhe ta ngushtonte rrethin armiqësor ndaj shqiptarëve vetëm me nënën e saj, Rusinë e Putinit?

Kështu që Rama e bëri keq edhe atë që apologjetët e tij zhurmojnë se e bëri mirë, madje më mirë se çdo kryeministër shqiptar i 30 viteve të fundit. Ndaj fjalimit të Ramës asnjë shqiptar nuk mund të qëndrojë indiferent. Kuptohet shumë shqiptarë (për arsye që nuk e vlen t’i analizojmë këtu) mbushin rreshtat e panagjeristëve e të apologjetëve të këtij fjalimi. Ka të tjerë “kritizerë pa kufi” që bubullijnë kundër çdo fjale që ka thënë e gjesti që ka bërë Rama në Strasburg e më vonë për të mbrojtur qëndrimet e tij për nevoja të ngutshme politike e personale ose dhe për obsesionin e tij mbi “Ballkanin e hapur”. Këta janë komentuesit më të liq të fjalimit të Ramës. Në këtë fjalim ka mjaft shkase për reflektime serioze. Së pari, Rama edhe pse me vonesë ndërmori një aksion diplomatik që duhej ta kishin kryer më parë e me kohë paraardhës të tij dhe ai vetë. Duhej ta kishin bërë pushtetarët e kohës kur ish-kryeprokurorja zvicerane e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi ndërmori fushatat e saj për ta njollosur luftën çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, kur hapi rrugën për komplotin e shëmtuar politik, diplomatik e propagandistik serbo-rus, kur Këshilli i Europës e miratonte raportin e Dik Martit. Por, pushtetarët shqiptarë atëherë votuan për miratimin e këtij raporti në Këshill dhe sot nuk kanë asnjë të drejtë morale “të çirren patriotikisht” e pa kërkuar falje për këtë qëndrim. Qortimet që ia bëri Rama Këshillit të Europës ishin për një borxh që duhej larë para shqiptarëve të njollosur. Qortimet që bëjnë kritizerët e Ramës se ai po na izolon nga Europa janë ligësi ndaj të drejtës e të vërtetës, sepse detyra e Këshillit të Europës tani e tutje është të mendohet e veprojë më mirë e me drejtësi për të gjitha sa kanë ndodhur.

E vlen të vihet në dukje se fjalimi i Ramës në KiE është rasti i dytë që një kryetar qeverie nga Shqipëria, i vetëdeklaruar vazhdimisht si antinacionalist, mundohet ta shpëtojë fytyrën e tij politike të damkosur, duke u fshehur pas frazave bombastike që përkojnë me vlerat nacionaliste. Do t’u lutesha lexuesve që kanë interes ta kuptojnë këtë mendim që ta rilexojnë edhe një shkrim tjetër që e kam botuar me titullin “Nacionalistë të vonuar dhe antinacionalistët e prapambetur” (“Shenja”, janar 2013). Atëherë mbështesja disa qëndrime të vonuara nacionaliste të kryeministrit Sali Berisha, të bëra gjatë një mitingu në Shkup, lidhur me zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare nëpërmjet bashkimit të shqiptarëve në një shtet dhe dënoja si “antinacionalizëm të prapambetur” qëndrimet që mbante pretendenti për kryeministër, Edi Rama, kundër kësaj pikëpamjeje të Berishës (nga e cila Berisha do të tërhiqej pak muaj më vonë, nën trysninë e disa mjediseve europaine). Sot po vërejmë një përmbysje të këtyre qëndrimeve të palëve. Është Edi Rama që në Strasburg paraqitet me disa poza nacionaliste dhe Sali Berisha që u kundërvihet qëndrimeve të Ramës me një gjuhë aspak korrekte dhe një mendim politik e diplomatik tipik antinacionalist. Këtu të çon procesi politik joparimor që në krye të qeverisjes nxjerr figura politike antinacionaliste. Këtu të çon edhe procesi logjik i zhvillimit të ngjarjeve, që nganjëherë i bën antinacionalistët kur vijnë në pushtet të ndjehen të detyruar të pozojnë si kombëtarë e nacionalistë. /shenja

You may also like