BRUKSEL – BE diskuton për ekonominë pas vendimit historik për Ukrainën

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 24 qershor /ATSH-DPA/ – Liderët e BE-së do t’i drejtohen sot ekonomisë së bllokut të goditur nga inflacioni, në fazën e dytë të samitit dyditor në Bruksel, pas vendimit për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin zyrtar si kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vendimi i liderëve të bllokut, i konsideruar si një vendim historik nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dje në mbrëmje, vjen pas disa muajsh lobimi nga Ukraina e shkatërruar nga lufta dhe Moldavia fqinje.

Inflacioni po rritet në një nivel rekord prej 8,1% në zonën e euros në sfondin e luftës në Ukrainë, i nxitur nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, sipas raporteve të fundit të Eurostat.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), Christine Lagarde, do të bashkohet me liderët për të diskutuar mënyrën sesi do të trajtohet problemi në rritje i çmimit të energjisë në disa vende.

BQE-ja ka njoftuar se në korrik, për herë të pare, në më shumë se një dekadë do të rritet norma e interesit në një përpjekje për të ndalur normat e paprecedentë të inflacionit.

Duke iu kthyer çështjeve që nuk lidhen me Rusinë, liderët e BE-së pritet të miratojnë përdorimin e monedhës së përbashkët euro nga Kroacia nga viti 2023 dhe të diskutojnë sesi sistemi bankar i bllokut mund të bëhet më i qëndrueshëm ndaj krizës.

Samiti pritet të përfundojë sot pasdite./  /a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like