ANKARA – Erdogan: Politikat e zgjerimit të NATO-s duhet të ecin në përputhje me ndjeshmëritë e Turqisë

by admin
Spread the love

ANKARA, 18 korrik /ATSH-AA/- Disa javë pas nënshkrimit të një protokolli me kandidatët për anëtarësim në NATO, Suedinë dhe Finlandën, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se politikat e zgjerimit të aleancës duhet të ecin në përputhje me ndjeshmëritë e Turqisë.

Duke iu referuar kushteve të memorandumit, të nënshkruar në samitin e NATO-s muajin e kaluar në Madrid, presidenti Erdogan pas një takimi të kabinetit në Ankara paralajmëroi se do të ngrinte procesin e tyre të anëtarësimit në NATO nëse kushtet nuk do të plotësoheshin.

Në fillim të këtij muaji, përfaqësues nga 30 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan protokollet e pranimit për Finlandën dhe Suedinë pasi i ftuan zyrtarisht për t’u bashkuar me aleancën ushtarake.

Të nxitur nga lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, të dy vendet aplikuan për t’u bashkuar me NATO-n në maj, duke hequr dorë nga neutraliteti i tyre tradicional.

Por Turqia shprehu kundërshtime ndaj aplikimeve për anëtarësim, duke kritikuar të dy vendet për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste si YPG/PKK dhe organizatës terroriste FETO, grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016 në Turqi

Para samitit, Ankaraja dhe dy vendet nordike nënshkruan memorandumin pas bisedimeve katërpalëshe, përfshirë NATO-n.

Marrëveshja i lejon vendet të anëtarësohen në NATO, por kërkon që ato të ndërmarrin hapa për shqetësimet e Turqise lidhur me terrorizmin dhe heqjen e embargos së armëve ndaj Ankarasë.

Pas marrëveshjes trepalëshe, NATO ftoi zyrtarisht Suedinë dhe Finlandën për t’u bashkuar me aleancën ushtarake 30-anëtarëshe.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like