Zgjedhjet e Serbisë – pozita thotë se u morr shembull perëndimi, opozita shqetësohet për reagimin e QUINT-it

by admin
Spread the love

Të dielën Serbia mban zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, zgjedhjet këto që nuk do të mbahen edhe në Kosovë me vendim të ekzekutivit të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse pati reagime për këtë vendim nga shtetet e QUINT-it, deputeti i Vetëvendosjes,
Enver Dugolli thotë se kryeministri Albin Kurti ka pasur komunikim normal me zyrtarë
të lartë të këtyre vendeve.

Madje sipas tij, janë marrë shembull praktikat e vendeve perëndimore, por që
Serbia nuk ka qenë e interesuar që të zgjidh këtë problematikë me Qeverinë e
Kosovës.

“Kryeministri Kurti ka pasur komunikim me shtete e QUINT-it dhe komunikimi
ka qenë normal. Ne kemi thënë që respektojmë vullnetin e qytetarëve për të
votuar ata që kanë dy shtetësi, por mënyrat e votimit për pjesëtarët e
komunitetit serb kemi kërkuar të jenë me praktika të vendeve perëndimore”.

“Serbia nuk ka qenë e interesuar që të zgjedh këtë problematikë dhe të
kontaktojë me Qeverinë e Kosovës dhe tani ka vendosur të mbahen në qytete të Serbisë”,
tha ai.

Kurse deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi tha se pa përkrahjen e
shteteve QUINT-it, Kosova nuk mund të avancojë në sferën ndërkombëtare.

Ajo shton se nuk ka koordinim të brendshëm me serbët ashtu siç ka premtuar
kryeministri Kurti në fushatë zgjedhore.

“Unë mendoj që nuk ka një koordinim të brendshëm, dhe nuk ka dialog të
brendshëm me serbët ashtu siç ka premtuar kryeministri Kurti në fushatë
zgjedhore dhe nuk kemi parë hapa konkret me serbët në Kosovë”.

“Vendimi është i kryeministrit dhe nuk është e jona si opozitë që ta
komentojmë. Shtete e QUINT-it janë ato të cilat ne na kanë ndihmuar sot ku jemi
dhe pa përkrahjen e tyre nuk mund të avancojmë në sfera ndërkombëtare”, tha Musliu-Shoshi.

Në raport me veriun dhe Serbinë asnjë proces Kosova nuk është mirë ta
zhvillojë pa koordinim me ShBA-i tha Ekonomia Online deputeti i LDK-së Driton
Selmanaj.

Madje, ai tha se për herë të parë po ndodh që shtetet e QUINT-it janë në
anën e Serbisë, andaj duhet të merret me shqetësim ky reagim.

“Në raport me veriun dhe Serbinë asnjë proces Kosova nuk është mirë ta
zhvillojë pa konsulta të ngushta me miqtë tanë ndërkombëtar. Falë një qasje të
koordinuar me shtete mike ka arritur të shtrijë në një far forme sovranitetin e
saj me polici, me gjykata me dogana. Nuk është situata siç do të dëshironim,
por ka pasur lëvizje pozitive”.

“Prandaj çdo çështje që lidhet me veriun e Kosovës, duhet të jemi
koordinuar me shtetet mike sepse po ndodh përherë të parë që shtete e QUINT-it
dalin në anën e Serbisë dhe kjo duhet marrë me shqetësim nga ne. Nuk po them që
duhet të kërkojmë të ndodh gjithçka këtu sepse gjithçka që duhet të bëjmë duhet
ta bëjmë në koordinim me shtetet mike”.

Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj potencoi se duhet mbrojtur ligjet e
Kosovës dhe Kushtetuta.

“Ne duhet të mbrojmë ligjet e Kosovës, kushtetutën e Kosovës. Duhet të
mbrojmë qytetarin e Kosovës dhe me siguri që në këtë drejtim AAK-ja e ka
mbështetur Qeverinë”, tha ai.

Zgjedhjet e
fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në
Kosovë janë mbajtur më 21 qershor të vitit 2020.

Në këto zgjedhje misioni i OSBE-së ka grumbulluar votat, praktikë kjo e krijuar që nga viti 2017.

You may also like