Xhaka krenar që shkroi historinë me Leverkusenin

by admin
Spread the love

Granit Xhaka është shprehur shumë i lumtur për titullin e kampionit të Gjermanisë. Ai me Bayer Leverkusenin është shpallur kampion I Bundesligës këtë edicion.

Leverkuseni titullin e ka siguruar të dielën me fitoren e thellë 5:0 ndaj Werder Bremenit, pesë javë para përfundimit të edicionit. Xhaka verën e shkuar iu bashkua Leverkusenit dhe në edicionin e tij të parë me këtë ekip u shpall kampion.

Në fakt, Xhaka ishte lojtari kyç i trajnerit Xabi Alonso në këtë sukses, i cili është i pari në histori të klubit dhe mesfushori shqiptar ka deklaruar se ndihet krenar për titullin e kampionit.

“Është ëndërr e bërë realitet. Kam fituar tituj me Baselin, por të fitoj titull në një vend tjetër është më e veçantë. Është edhe më e veçantë që e fitova me një skuadër që nuk ishte asnjëherë kampione. Kemi bërë histori. Secili në këtë klub është legjendë. Nuk ka asgjë më të mirë se të festojmë së bashku”, ka thënë Xhaka.

Krahas titullit të kampionit, Xhaka me Leverkusenin mund të fitoj edhe dy trofe tjerë këtë edicion. Është në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe çerekfinale të Ligës së Evropës. Leverkuseni këtë edicion është ekipi i vetëm pa humbje në Evropë në të gjitha garat.

Xhaka deri më tani ka regjistruar 41 paraqitje për Leverkusenin, ku ka shënuar dy gola dhe ka bërë një asistim. Ai ka kontratë me ekipin gjerman deri në verën e vitit 2028.

You may also like