vjen dënimi për bashkëpunëtoren e Epsteinit – Shqip

by admin
Spread the love

Ghislaine Maxwell u dënua në një gjykatë në New York të martën me 20 vjet burg për ndihmën ndaj pasanikut të vetëmbytur e të diskretituar, Jeffrey Epstein, i cili abuzonte seksualisht me vajzat.

Dënimi, i dhënë në gjykatën federale në Manhattan, do të thotë se 60-vjeçarja Ghislaine Maxwell do të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg.

Vajza e manjatit të ndjerë të medias britanike Robert Maxwell, i cili ishte arsimuar në Oksford, u dënua në fund të vitit të kaluar për pesë nga gjashtë pikat e aktakuzës, më e rënda prej të cilave është për trafikim seksual të të miturve.

Avokatët e saj i kërkuan gjykatës të ishte e butë, duke përmendur një fëmijëri traumatike dhe duke argumentuar se Maxwell u ndëshkua padrejtësisht sepse Epstein shmangte gjyqin.

Ata mbrojtën një maksimum prej pesë vjetësh, ndërsa prokurorët kërkuan nga 30 deri në 55 vjet burg.

Gjatë një gjyqi në fund të vitit 2021, prokurorët vërtetuan se ajo ishte “çelësi” i planit të Epstein për të joshur vajzat e reja të cilat më pas do t’i abuzonte seksualisht.

Avokatët pretenduan se klientja e tyre kishte një “fëmijëri të vështirë, traumatike me një baba epror, narcisist dhe kërkues”.

“Kjo e bëri atë të ndjeshme ndaj Epsteinit, të cilin e takoi menjëherë pas vdekjes së babait të saj,” shkruanin ata në parashtresat në fillim të këtij muaji.

Epstein vrau veten në burg në vitin 2019 në moshën 66-vjeçare ndërsa priste gjyqin në New York.

“Maxwell nuk mund dhe nuk duhet të mbajë të gjithë dënimin për të cilin Epstein duhet të ishte përgjegjës,” thanë avokatët e saj.

Por prokuroria deklaroi në konferencën e saj gjyqësore javën e kaluar se Maxwell “ishte një e rritur që merrte vendimet e saj”.

Ata pretenduan se ajo tregoi një “mungesë të plotë pendimi” për krimet e saj, të kryera midis 1994 dhe 2004.

“Me vendimin e sotëm, Ghislaine Maxwell është përgjegjëse për kryerjen e krimeve të tmerrshme kundër fëmijëve”, tha prokurori Damian Williams.

“Ky dënim dërgon një mesazh të fortë se askush nuk është mbi ligjin dhe nuk është kurrë vonë për drejtësi”, shtoi ai.

Maxwell është tashmë në paraburgim për rreth dy vjet pasi u arrestua në New Hampshire në verën e vitit 2020. /tesheshi.com/

You may also like