(VIDEO) Presidenti kundër referendumit, VMRO e akuzon për ndryshim qëndrimi

by admin
Spread the love




Presidenti Stevo Pendarovski e ka qartësuar qëndrimin e tij kundër referendumit, përkundër qëndrimeve jo shumë të qarta të javës së kaluar. Pendarovski tha se kryetari i VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski po manipulon me opinionin kur thotë se edhe Presidenti ndan qëndrimin e njejtë me të sa i përket referendumit. Nismën për referendum e cilëson si nismë për mobilizim të brendshëm në VMRO DPMNE.

SINKRON – STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT
“Unë nuk e kam të qartë kërkesën për referendum. Bëhet fjalë për një manipulim që dëshiron ta bëjë Mickoski. Mickoski ka nevojë për mobilizim politik dhe thotë se Pendarovski mendon të njëjtën gjë. Mendoj se është e drejtë që VMRO-DPMNE dhe ‘E majta’, të përcaktohen publikisht, para popullit maqedonas dhe qytetarëve maqedonas lidhur me atë që janë vërtetë, parti politike antievropiane”

VMRO DPMNE-ja e ka quajtur sjellje bipolare politike ndryshimin e qëndrimeve të Presidentit për referendumin sipas tyre. Zëdhënësi i VMRO DPMNE-së Dimçe Arsovski thotë se Pendarovski ka ndryshuar qëndrim pasi i kanë tërhequr vërejtjen nga Qeveria.

SINKRON – DIMÇE ARSOVSKI, VMRO DPMNE
“Ndryshim drastik i qëndrimeve dhe sjellje politike bipolare në vetëm disa ditë, mund të karakterizohet si papjekuri për marrje të qëndrimit për çështje të mëdha dhe të rëndësishme politike. Referendumi për këtë çështje nuk është dëshirë e Pendarovskit të mbahet ose jo por obligim moral i një presidenti serioz të shtetit që duhet të shkojë me një vijë me qytetarët. Rasti me Pendarovskin shihet qartë se i kanë dredhur krahun nga Qeveria dhe më pas duhej të deklarohet dhe ta thotë atë që ia kanë kërkuar nga Qeveria dhe ta ndryshojë qëndrimin e tij”.

Para disa ditësh, Presidenti Stevo Pendarovski kishte deklaruar se nëse veçmë do ketë referendum, do të ishte e ndershme që asnjë parti të mos bojkotojë dhe pyetja e referendumit të ishte nëse qytetarët duan anëtarësim në BE me kushtet e propozimit francez.  /SHENJA/

 

 


You may also like