(VIDEO) Mbi 400 specializantë privatë nisën grevën, kërkojnë kompensime më të larta dhe zgjidhje statusi

by admin
Spread the love

Duke filluar nga sot, mbi 400 specializantë privatë nga Qendra Klinike “Nënë Tereza” në Shkup janë në grevë të përgjithshme, për shkak të kërkesave të paplotësuara, të cilat ia kanë dërguar ministrit të Shëndetësisë Ilir Demiri më 27 mars. Hristina Ilioska-Çeslaroska deklaroi  se nga sot nuk do të paraqiten në punë, nuk do të jenë në detyrë dhe nuk do të punojnë në baza ambulatore derisa të marrin njoftim me shkrim se do t’u plotësohen kërkesat. Specializantët privatë janë të revoltuar për shkak se nuk kanë sigurim pensional dhe shëndetësor dhe kërkojnë rritje të kompensimit mujor, i cili tani arrin në 26.000 denarë dhe të jetë në nivelin e pagës mesatare të mjekut në një institucion publik shëndetësor, si dhe zgjidhjen e statusit të tyre si persona të papunë.

HRISTINA ILIOSKA-ÇESLAROSKA

“Pas protestës së 27 marsit kemi pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Demiri, i cili na ka premtuar se kërkesat tona do të paraqiten në seancën e ardhshme të Qeverisë. Pas takimit me ministrin janë mbajtur dy mbledhje të Qeverisë, më 3 dhe 9 prill, në të cilat sipas informacioneve të disponueshme publikisht, kërkesat tona nuk janë diskutuar”.

Ajo gjithashtu tha  se edhe ato si gra janë të diskriminuara dhe nuk mund të shkojnë me leje lehonie apo sëmundje për shkak të një fëmije, sepse më pas ndalohet specializimi dhe u anulohet pagesa mujore.

Ndërkaq, mjekja Tamara Pejoska, e cila është praktikante në vitin e parë të kirurgjisë plastike, theksoi se ata janë në gatishmëri 24 orë në ditë, marrin pjesë aktive në ambulancat dhe ndihmojnë në operacione, të cilat të gjitha shpërblehen me pagë të ulët dhe pa sigurim.

HRISTINA ILIOSKA-ÇESLAROSKA

“Personalisht, në Klinikën Infektive më ka ndodhur që të paguaj infuzionin prej 1000 denarë. Apo nga këto 26.000 denarë të veçoj shtesë për sigurim shëndetësor. Statusi ynë në asnjë mënyrë nuk është zgjidhur, pavarësisht nga koha që na është dhënë dhe sa sakrifica kemi bërë, ne nuk i kemi kushtet e duhura”.

Nga atje shtojnë se  greva e tyre  do të vazhdojë derisa të marrim një garanci zyrtare me shkrim se nëse nuk është e mundur tani për shkak të zgjedhjeve, pas 8 majit kërkesat e tyre do të plotësohen.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING



You may also like