KIEV – Çmontohet monumenti i epokës sovjetike i lidhjes së ngushtë Ukrainë-Rusi

by admin
Spread the love

KIEV, 30 prill /ATSH-DPA/- Autoritetet e Kievit nisën sot çmontimin e një monumenti të epokës sovjetike që shënon lidhjen midis Rusisë dhe Ukrainës, më shumë se dy vjet pasi Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës.

“Do të duhen disa ditë për të shembur plotësisht monumentin e granitit të kuq, i cili përbëhet nga rreth 20 elementë”, tha administrata e qytetit.

Ai përbëhet nga një grup statujash që tregojnë kozakët ukrainas që rrethojnë hetmanin, ose “udhëheqësin”, Bohdan Khmelnytskyi dhe ambasadorin e Moskës.

Monumenti ndodhet poshtë një instalimi çeliku në formë ylberi pranë bregut të lumit Dnipro.

Statujat, që thuhet se peshojnë rreth 6 000 deri në 7 000 tonë, do të zhvendosen në një muze të aviacionit.

Ansambli u ndërtua në vitin 1982 për të përkujtuar bashkimin e popullit ukrainas me popullin vëllazëror rus në 1654, viti kur Khmelnytskyi hyri në një aleancë me carin rus për të luftuar Komonuelthin Polako-Lituanez.

Librat e historisë sovjetike e romantizuan këtë si fillimin e një miqësie të pathyeshme midis Ukrainës dhe Rusisë.

Por, kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë në shkurt 2022, parlamenti i qytetit të Kievit e riemërtoi harkun prej 35 metrash prej çeliku mbi statuja, duke e ndryshuar atë nga “Harku i Miqësisë midis Popujve” në “Harkun e Lirisë së Popullit Ukrainas”, një ndryshim i bërë në maj te vitit 2022.

Autoritetet hoqën gjithashtu dy figura bronzi – të cilat përfaqësonin një punëtor rus dhe një ukrainas – nga poshtë harkut në prill 2022.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like