“Nuk e di çfarë më tha Belingam në vesh te penalltia”, Kejn shpreson të thyejë mallkimin: Do të ishte e mrekullueshme

by admin
Spread the love

Herri Kejn gjeti përsëri sot rrugën e rrjetës në Ligën e Kampioneve duke transformuar saktësisht një penallti në barazimin 2-2 të Bajern Mynih ndaj Real Madrid. Një penallti që u shoqërua me një episod interesant ku Belingam iu afrua dhe i tha diçka në vesh bashkëkombësit të tij dhe të cilin e komentoi vetë sulmuesi i Bajern në fund të sfidës.

“Është pak zhgënjyese. Kur ishim 2-1, kishim dy apo tre mundësi të mira, sidomos nga goditjet standarte. Kjo është një gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve, Real Madrid është një nga ekipet më të mira në Europë padyshim dhe ata mund të të ndëshkojnë me një apo dy aksione.

Javën tjetër është gjithçka në lojë. Nëse bëjmë ashtu siç bëmë për pjesë të mëdha të lojës sot, do të kemi shanse në javën e ardhshme. Ne thjesht duhet të jemi në gjendje që t’i shfrytëzojmë.

Goli i tyre i parë ishte kundër rrjedhës së lojës, ata përfituan nga kjo dhe kishim vështirësi të luanim lojën tonë. Në pjesën e dytë kishim më shumë itnensitet dhe merituam të shënonim dy golat tanë. Ishte një ndeshje e vështirë, po presim me padurim për javën e ardhshme. Mund të mësojmë shumë nga kjo ndeshje.

Çfarë më tha Belingam në vesh para penalltisë? Të jem i sinqertë nuk e di se çfarë po thoshte. E pashë që po murmurinte diçka. Do të më duhet ta pyes se çfarë tha realisht. Në ato momente unë jam plotësisht i fokusuar, mundohem të bllokoj gjithçka jashtë. Jam i sigurt se po thoshte diçka që të më shpërqendronte.

A përcakton Liga e Kampioneve transferimin te Bajerni si të mirë? Nuk besoj, jam këtu për shumë vite. Nuk kam ardhur vetëm për një vit. Padyshim pritshmëria ishte të fitoja trofe dhe gjërat nuk kanë shkuar mirë për ne. Por nëse në ndonjë mënyrë ne do të vinim duart mbi Ligën e Kampioneve, do të ishte një sezon i mrekullueshëm për ne”, tha Kejn pas sfidës.

PANORAMASPORT.AL

You may also like