(VIDEO) Fjalët e fundit të të akuzuarve për aksidentin në “Llaskarcë”: nuk kemi asnjë faj

by admin
Spread the love

Në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit sot fjalën përfundimtare të rastit“Llaskarca” e ka dhënë mbrojtja e të akuzuarit të pestë, Jane Bovrovski, i cili është njëri nga të akuzuarit në aksidentin e trafikut në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe kanë mbetur të lënduar mbi 30. Sipas avokates Ivanka Jakimovska, mbrojtëse e të akuzuarit Bovarski, në procedurën e provave nuk është vërtetuar as motivi dhe as qëllimi, e së paku, siç tha ajo, qëllimi i veprave që i ngarkohen të pandehurit Bovarovski.

IVANKA JAKIMOVSKA, AVOKATE

“Nuk ka asnjë provë që e vërteton gjithë këtë në lidhje me të akuzuarin Jane Bovarovski. Ngjarja nuk ka ndodhur për faj të këtij të akuzuari . Bovarovski nuk mund të mbajë përgjegjësi për veprën për të cilën akuzohet, duke pasur parasysh se nuk ishte i pranishëm në inspektimin teknik vjetor.

Fjalën përfundimtare e ka dhënë edhe i pandehuri Jane Bovarovski, i cili ka thënë procesverbali nuk është nënshkruar nga ai dhe automjetit nuk i është lëshuar leje.

JANE BOVARSKI, I AKUZUAR

“Akuza ndaj meje është shkruar pa asnjë provë të fortë, me shumë gjëra famëkeqe të ngarkuara  pa u dëshmuar. Padrejtësia që më është bërë nga prokuroria publike, e cila është e pa bazë, duhet të korrigjohet”.

Gjatë ditës së sotme mbrojtja e të akuzuarit të katërt, Goran Dukovski, ka dhënë fjalën përfundimtare në të cilën avokati Sasho Dukovski ka kërkuar aktgjykim, me të cilin i akuzuari i katërt do të lirohet nga akuza. Fjalën përfundimtare sot e ka dhënë edhe mbrojtja e të akuzuarit të gjashtë, Manoil Trifunovski.Në seancat e kaluara fjalët përfundimtare i kanë dhënë mbrojtja e të akuzuarit të parë Durmish Beluli, të të akuzuarit të dytë Remzi Miftari dhe të tretë Igor Gjordjievski, të cilët po ashtu kërkuan lirim nga akuzat.

Në fjalën e tij përmbyllëse, prokurori publik Darko Jakimovski kërkoi dënimin më të ashpër për të akuzuarit për aksidentin e autobusit që ndodhi në vitin 2019 në afërsi të Llaskarcës.

Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcës, i ndodhur më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronari i kompanisë “Durmo Tours”, personi përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe drejtuesi i autobusit , Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen tre punonjësit e stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski. Sipas nenit 300 paragrafi 2 i Kodit Penal, për të cilin akuzohen të pandehurit, dënimi me burg është së paku katër vjet.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING



You may also like