(VIDEO) Erolld Musliu: VMRO po riciklon gënjeshtra kundër familjes sime

by admin
Spread the love

Drejtori i Agjencisë së Zbulimit, Erolld Musliu, ka hedhur poshtë akuzat e djeshme të deputetit nga radhët e VMRO-së, Dragan Kovaçki, pretendime të cilat eksponenti i partisë së Mickoskit i ka përsëritur edhe sot gjatë një paraqitjeje publike. Musliu thekson se deputeti Kovaçki e përshkruan gjendjen që ka të bëjë me aktivitetet e sektorit joqeveritar në vend, pra bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare dhe donatorët që mbështesin sektorin joqeveritar në vend.

EROLLD MUSLIU, DREJTOR I AGJENCISË SË ZBULIMIT

“Për një kohë të gjatë unë si drejtor i Agjencisë së Zbulimit si dhe bashkëshortja ime dhe puna e saj në sektorin joqeveritar, jemi objekt sulmi duke paraqitur informacione të pasakta dhe të rreme të vendosura në një mënyrë që të tingëllojnë si një skandal i zbuluar nga subjekte partiake, profile të rreme të mediave sociale si dhe në një kanal televiziv. Kjo më shkakton dëm të madh si një qytetar besnik i RMV-së dhe një profesionist i përkushtuar me një karrierë 31-vjeçare”

Musliu thekson se kjo që po i bëhet bashkëshortes së tij, e cila punon plot 23 vjet në sektorin joqeveritar ka për qëllim dëmtimin e aktiviteteve që i kryen dhe që kanë një qëllim fisnik, ndërkohë që fëmijët i vënë në rrezik duke postuar informacione të rreme për prindërit e tyre.

EROLLD MUSLIU, DREJTOR I AGJENCISË SË ZBULIMIT

“Nga familja Musliu vetëm unë punoj në një organ shtetëror kurse bashkëshortja ime në sektorin joqeveritar, që do të thotë se ne të dy nuk e ngarkojmë shtetin, është kjo mëkat apo vendim i drejtë? Nuk është hera e parë që po plasoni informacione të pasakta dhe të rreme dhe pas dështimit të një linçimi publik, pas një periudhe të caktuar kohore i ripublikoni sërish si skandale dhe sensacione të reja”

Musliu thotë se për një kohë të gjatë përmbahet nga reagimi ndaj gjithë asaj që shpërndahet në mënyrë të rreme për familjen ose përmes profileve false, ku ofendohet vazhdimisht duke e quajtur me emra që janë nënçmues të natyrës etnike.

Kreu i Agjencisë e ka këshillur VMRO-në që betejën partiake për fitimin e pushtetit politik në fushën politike ta bëjë me vizione dhe projekte të qarta nga të cilat do të përfitoj shoqëria jonë si dhe në Kuvend, e jo me lajme të rreme. Në fund, Musliu i ka këshilluar krerët e VMRO-s që që të kërkojnë falje publike. /SHENJA/

You may also like