(VIDEO) Erdhën monitoruesit e Bashkimit Europian, nesër nis skriningu

by admin
Spread the love

Kryeministri Dimitar Kovaçevski së bashku me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Bojan  Mariçiq dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, takuan delegatët e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të Grupit Punues së Këshillit të BE-së, i ngarkuar për zgjerimin dhe për Vendet Negociuese për Anëtarësimin, i udhëhequr nga Javurek Leos dhe i shoqëruar nga ambasadori i BE-së në vend, David Geer.

Kjo është vizita e parë e punës së ekipit në vend, e cila vjen si rezultat I hapjes së negociatave për anëtarësim ne BE me Maqedoninë e Veriut në korrik të vitit 2022. Ndërsa, më 15 shtator zyrtarisht nis procesi i skriningut Maqedoni e Veriut-BE.

Kryeministri Kovaçevski gjatë takimit nënvizoi se në kuadër të përkushtimit të përbashkët për të dhënë rezultate të shpejta dhe cilësore në procesin e integrimeve evropiane, do të punojnë me të gjitha palët e interesuara politike dhe sociale në vend.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se Qeveria është e gatshme të tregojë rezultate të dukshme në avancimin e proceseve reformuese dhe se kjo kërkon përfshirjen e të gjitha palëve të interesit, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin me shtetet anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian.

Ministri Osmani theksoi se vendi po shkon drejt një kapitulli të ri të integrimeve evropiane, me takimin e sotëm me Grupin Punues, dhe se ky është një moment I rëndësishëm për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera aktuale në kontekstin rajonal, evropian dhe gjeopolitik, me ç’rast u shpreh pajtimi që Republika e Maqedonisë së Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në zgjidhjet për tejkalimin e sfidave aktuale nga lufta në Ukrainë.

Takimi u përmbyll me konstatimin se zgjerimi i BE-së me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe me vendet e Ballkanit Perëndimor duhet dhe do të vazhdojë, sepse është me rëndësi si për vendin tonë, ashtu edhe për vendet e rajonit dhe për vetë Bashkimin Evropian.

Grupi Punues u takua edhe me  kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe morën pjesë në seancën e përbashkët të Këshillit Kombëtar për Integrime Europiane, të kryesuar nga deputeti Aleksandar Nikolloski dhe Komisionit Parlamentar për Çështje Europiane, të kryesuar nga deputeti Arbër Ademi. Delegatët do të shkëmbejnë mendime edhe me përfaqësues të organizatave të shoqërisë qytetare.

Linda Ebibi /SHENJA/

You may also like