Universiteti i Tetovës dhe Kolegji Werkstatt-Berufskolleg i Gjermanisë do të hartojnë kurrikula parauniversitare për tregun e punës në Bashkimin Evropian

by admin
Spread the love

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i shoqëruar nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi, e ka pritur sot në takim Dr. Dieter Schulze, drejtor i Kolegjit profesional Werkstatt-Berufskolleg në Unna të Gjermanisë dhe Dr. Arsim Rexhepin, ligjërues në këtë kolegj.

Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti shprehu falënderimin e tij për vizitën e z. Schulze në Universitetin e Tetovës, i cili në fokusin e veprimtarisë arsimore-shkencore rëndësi të posaçme i kushton edhe bashkëpunimit ndërkombëtar me universitete dhe institucione të tjera të njohura.

Ai po ashtu tha se, UT i është mirënjohës popullit gjerman dhe qeverisë gjermane për ndihmën e ofruar ndër vite për këtë institucion të arsimit të lartë në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Ne jemi të nderuar për vizitën dhe u shprehim mirënjohjen për gatishmërinë Tuaj për të bashkëpunuar me Universitetin e Tetovës. Institucioni ynë në 28 vite veprimtari e ka dëshmuar veten në realizimin e prioriteteve kryesore. Në lëmin e hulumtimeve shkencore kemi një ngritje dhe kjo dëshmohet edhe me botimin e njëmbëdhjetë revistave me imakt-faktor. Bazuar edhe në agjendën intensive që zhvillojmë jemi pjesë edhe e disa konsorciumeve universitare në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Takimet e tilla që kanë në fokus thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, avancimin e arsimit dhe shkencës ne gjithmonë i mirëpresim”, theksoi rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Në vijim të fjalës së tij, ai veçoi edhe problematikën e tregut të punës me të cilën përballen të rinjtë, si pasojë e mungesës së përgatitjes profesionale në profesione të caktuara. Për këtë qëllim kërkoi nga Dr. Dieter Schulze që bashkë me Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të angazhohen në hartimin e kurrikulave parauniversitare, që do të shërbenin në përgatitjen e kuadrove përkatëse për tregun evropian të punës.

Dr. Dieter Schulze nga Kolegji Werkstatt-Berufskolleg, deklaroi se do të ofrojë përvojën e tij tridhjetëvjeçare për të hartuar programe të tilla që janë tejet të nevojshme në dekadën e fundit.

“Tërë karrierën time jam marrë me këto çështje duke ofruar ekspertizën time shumëvjeçare si në hartimin e kurrikulave të profileve të ndryshme parauniversitare, por edhe në implementimin e projekteve ndërkombëtare. Sot, universitetet në Bashkimin Evropian e më gjerë gjithë energjinë e tyre e kanë orientuar në bashkëpunim dhe kyçjen në projekte ndërkombëtare të dobishme për arsimin, shkencën dhe përfshirjen në to të studentëve dhe punonjësve shkencorë. Më vjen mirë që Universiteti Juaj ka kapacitetet e duhura për t’u angazhuar në iniciativa, projekte që operojnë në zonën e BE-së dhe më gjerë”, theksoi Dr. Dieter Schulze.

Ky takim me karakter pune, mes drejtuesve të Universitetit të Tetovës dhe përfaqësuesve të kolegjit të sipërthënë, u vlerësua shumë i dobishëm dhe në të ardhmen e afërt pritet të konkretizohen hapat e parë të bashkëpunimit ndërinstitucional.

You may also like