TEL AVIV – IDF: 250 objektiva u goditën në Gaza në 24 orët e fundit

by admin
Spread the love

TEL AVIV, 10 dhjetor /ATSH/ Ushtria izraelite tha sot se ka goditur rreth 250 objektiva militantë në të gjithë Rripin e Gazës në 24 orët e fundit, duke përfshirë sulme në depo armësh, boshte tunelesh dhe vende të tjera, ndërsa agjencitë e OKB-së paralajmëruan për presionin në rritje ndaj spitaleve në jug.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se avionët luftarakë, së bashku me trupat tokësore, shkatërruan një objekt komunikimi të Hamasit që ndodhej pranë një xhamie në jug të Rripit të Gazës.

“Në qytetin jugor të Khan Younis, ku ushtria izraelite ka zhvilluar beteja urbane derë më derë, rrjetet e tuneleve u shkatërruan duke përdorur bomba precize”, tha IDF.

“Një “celulë terroriste” që u përpoq të sulmonte trupat izraelite që përparonin në zonë, u identifikua me ndihmën e një droni dhe u qëllua mbi të”, shtoi ushtria.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi, rreth 17 700 palestinezë janë vrarë në më shumë se dy muaj luftime në Gaza.

Ofensiva e IDF për të eliminuar Hamasin nga Gaza u shkaktua nga masakra më e keqe në historinë e Izraelit, e kryer nga terroristët nga Hamasi dhe grupet e tjera më 7 tetor.

Rreth 1200 njerëz u vranë dhe 240 të tjerë u morën peng, disa prej të cilëve u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like