Talenti turk vendosi një rekord absolut për Juven, Jilldëz: Tani i kam një darkë borxh skuadrës

by admin
Spread the love

Kenan ecën me shpejtësi, edhe pse koha është e gjitha në favor të tij. Me vetëm 18 vjeç e 233 ditë u shndërrua në futbollistin e huaj më të ri që shënon në historinë e Juventusit.

Kenan për mbiemër ka Jilldëz, por edhe pse ka lindur në Gjermani, ai me shumë krenari nuk e ka harruar aspak origjinën e tij turke, aq sa ka zgjedhur të përfaqësojë pikërisht atë kombëtaren, ku trajneri italian, Vinçenco Montela, i ka besuar edhe më shumë sesa Alegri, duke i dhënë një bluzë titullari në debutim, dhe menjëherë në miqësoren e fituar kundër Gjermanisë ai la edhe vulën e tij. E njëjta gjë ndodhi edhe te Juventusi, duke qenë se në Frozinone ishte gjithashtu e para si titullar me “zonjën e vjetër” dhe menjëherë ofron një gol që të kujton shumë atë të Zlatan Ibrahimoviçit pikërisht me bardhezinjtë, në Breshia, në vitin 2004, kur Kenan ende nuk kishte lindur.

Dhe pas atij driblimi mes tre mbrojtësve rivalë, me një qetësi absolute dhe një besim prej kampioni të vërtetë vjen goditja në shtyllën e parë dhe menjëherë më pas një festim me gjuhën jashtë, si ai i Del Pieros ndaj Interit shumë vite më parë, e cila ka mbetur në modë. Madje, Jilldëz jo vetëm që nuk kishte frikë që e ka huazuar por shpreson që të vazhdojë ta bëjë ende për shumë gjatë, me petkun bardhezi mbi shpatulla, pasi siç e nënvizon vetëm ai, ëndërron që të ecë në gjurmët e Del Pieros në Torino. Për atë Torino që jo vetëm i tha jo rinovimit me Bajernin e Mynihut, por refuzoi një vit e gjysmë më parë skuadra të tjera të mëdha, si Barcelona e Mançester Siti.

EMOCIONET E KENANIT – “Goli im i parë në debutim ishte diçka shumë e madhe, aq sa nuk arrij që të mësohem me këtë ide. Falëminderit tifozëve, të cilët janë të çmendur pas Juventusit, por mbi të gjitha falëminderit trajnerit Alegri që më dha këtë shans”. Kenan Jilldëz nuk ka klas vetëm në fushë, por edhe jashtë saj, duke qenë se ai nuk harron ato që i japin besim dhe duan që ta shohim tashmë edhe më shpesh në formacion, sepse mes tifozëve bardhezi dhe pas ngjarjeve të njëpasnjëshme me Pol Pogbanë, ultrasit shohin Kenan Jilldëzin numrin 10 të ardhshëm të “Zonjës së Vjetër”. “Unë si Del Piero? Aleks është një legjendë. Po, kam huazuar festimin e tij me gjuhën jashtë, madje kam nisur të bëj që sezonin e kaluar me U-19, sepse është një festim i çmendur, i cili më pëlqen shumë. Aleks një idhull? Pa dyshim që po, ndonëse kam edhe shumë të tjerë që kanë luajtur te Juventusi, si Zidani, apo edhe ndër këto aktualët, Mesi, Ronaldo, thjesht më të mirët. Gjithsesi, unë mendoj se jam një lojtar shumë i ndryshëm nga të gjithë këto, në varësi të pozicionit tim në fushë”, vazhdon turku.

PRAPASKENA – Kenan ka lindur në 2005-ën, por ndërkohë shifrat thonë se ai është futbollisti i tretë i lindur në atë vit që ka luajtur një ndeshje si titullar në Serinë A, pas Valentin Karbonit të Monzës dhe Arijon Ibrahimoviçit të Frozinones. Dhe emocioni ka qenë i madh kur i është lajmëruar se do të ishte titullar: “Si e mësova? Pas stërvitjes së fundit, Kieza u dëmtua dhe fatmirësisht nuk është asgjë serioze…, – nënvizon Kenan. – Nuk isha i sigurt absolutisht se mund të isha unë zëvendësuesi, por ndryshe nga herët e tjera, kur trajneri në e lajmëron në mëngjesin përpara ndeshjes formacionin, këtë herë ai e komunikoi atë në mbrëmje. Kur dëgjove se do të isha unë titullari… U shokova! A fjeta në mbrëmje? Më mirë se çdo herë tjetër, sepse unë kam shumë besim te vetja, nuk ndjeva nervozizëm, pasi kisha luajtur edhe herë të tjera me skuadrën e parë. Madje, e dija se do ia kisha dalë mbanë”, tregon me vetëbesim Jilldëz.

ELOZHE PËR ALEGRIN – Njeriu që ka pasur më shumë besim te Jilldëz është Alegri, me të cilin talenti turk ka një lidhje të fortë. “Maks është një trajner i madh, është i madh dhe pikë. Edhe këtë verë, kur më tha që të prisja flokët, pasi kisha luajtur vetëm 5 minuta në ndeshjen e parë me Udinezen, nuk hezitova në asnjë moment. Përkundrazi, prita sa mbaroi ndeshja dhe menjëherë te berberi. Fjala e tij është ligj për mua, Alegri është bosi. E them këtë sepse gjithmonë më ka treguar besim, gjithmonë më ka mbajtur afër duke më thënë se koha ime do të vijë dhe ja ku jemi, por festoj golin tim të parë. Edhe shokët më duan? Po, aq shumë sa më dhemb koka nga goditjet që mora prej tyre. Madje, më kërcënuan se tani i kam edhe një darkë borxh… Më pëlqen fryma të Juventusi, e adhuroj madje, sepse këtu luftojmë për tifozët… Këtu luftojmë për të fituar titullin”, përfundoi Jilldëz.

PANORAMASPORT.AL

You may also like