Steve Scalise, kandidat për Kryetar të Dhomës së Përfaqësuesve – Shqip

by admin
Spread the love

Republikanët kanë zgjedhur Steve Scalise, si kandidatin për të qenë Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuese. Ai mundi kandidatin tjetër, Jim Jordan, me 113 vota kundër 99 në një takim të partisë me dyer të mbyllura në Kapitol në SHBA. Tani republikanët duhet të tentojnë të unifikojnë partinë që ai të zgjidhet gjatë votimit në Dhomën e Përfaqësuesve, pas shkarkimit të Kevin McCarthy-t.

Anëtarët e Partisë Republikane në javët e fundit kanë zhvilluar debate për të arritur një marrëveshje për zëvendësimin e McCarthy. Një fitore e ngushtë e Scalise nxjerr në pah ndarjet brenda partisë dhe disa ligjvënës kanë shprehur skepticizëm.

Që Scalise të bëhet kryetari i ri i Dhomës, atij i duhet të marrë pothuajse të gjitha votat e republikanëve, pra të sigurojë të paktën 217 vota. Kjo do të thotë se ata duhet të bashkohen në mbështetje të njërit kandidat për të arritur shumicën e thjeshtë që nevojitet për zgjedhjen e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve.

Zgjedhja e kryetarit të ri vjen në një moment të një krize politike në Dhomën e Përfaqësuesve. Javën e kaluar, McCarthy u bë udhëheqësi i parë i Dhomës së Përfaqësuesve në historinë amerikane që u shkarkua gjatë një votimi. Ende është e paqartë nëse ligjvënësit republikanë, mbështetës të ish-presidentit Donald Trump, të cilët votuan për shkarkimin e McCarthy-t, do të votojnë për zgjedhjen e Scalise.

Vendi bosh i kryetarit ka ndalur punën në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila ka një afat deri në mesin e nëntorit për të përfunduar punën me një seri projektligjesh buxhetore, ose në të kundërt të përballet sërish me mundësinë e mbylljes së qeverisë.

Klan News

You may also like