SPANJË – Borrell: Të zgjatet armëpushimi Izrael-Hamas

by admin
Spread the love

BARCELONË, 27 nëntor /ATSH-ANSA-DPA/ – Armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit është një hap i parë i rëndësishëm dhe duhet të zgjatet për ta bërë atë të qëndrueshëm dhe afatgjatë duke punuar drejt një zgjidhjeje politike, deklaroi sot shefi i poitikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

”Ky armëpushim duhet të zgjatet”, theksoi Borrell në hapje të takimit të Unionit për Mesdheun, që po zhvillohet në Barcelonë.

Hamasi i dorëzoi dje një grup të tretë pengjesh stafit të Kryqit të Kuq, si pjesë e një marrëveshjeje katërditore për armëpushim në luftën e Gazës duke rritur shpresat për një armëpushim të zgjatur me lirimin e pengjeve të tjera në ditët e ardhshme.

Me lirimin e 14 izraelitëve dhe tre shtetasve tajlandezë dje, gjithsej 58 pengje tani janë liruar nga organizata ekstremiste Hamas që nga e premtja.

Zyrtarët izraelitë besojnë se rreth 180 pengje janë ende në duart e ekstremistëve në Gaza pasi u rrëmbyen në sulmet terroriste të 7 tetorit.

Dje, në këmbim të 17 të burgosurve të liruar, 39 të burgosur të tjerë palestinezë u liruan  nga burgjet izraelite, siç ndodhi një ditë më parë.

Shkëmbimi është pjesë e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari për një armëpushim katër-ditor, i cili do të zgjasë të paktën deri nesër në mëngjes.

Zyrtarët në të dyja anët e konfliktit, si edhe në SHBA dhe Katar, kanë shprehur shpresa për një armëpushim të zgjatur përtej katër ditëve të rënë dakord fillimisht.

Pas lirimit të një grupi të tretë pengjesh, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vuri në dukje se marrëveshja parashikon mundësinë e një zgjatjeje në këmbim të lirimit të 10 pengjeve të tjera në ditë.

Sipas Katarit, një zgjatje prej gjashtë ditësh të tjera do të ishte e mundur.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like