SIRI – Numri i të vdekurve pas sulmeve izraelite arrin në 52

by admin
Spread the love

KAJRO, 30 mars /ATSH-DPA/- Numri i të vdekurve nga sulmet e supozuara ajrore izraelite në Siri të premten është rritur në 52, raportoi sot një grup monitorues.

“Vdekjet përfshinin 38 anëtarë të forcave të qeverisë siriane, shtatë luftëtarë të lëvizjes pro-iraniane libaneze Hezbollah dhe shtatë luftëtarë të milicisë aleate të Iranit”, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Observatori, i cili ka dokumentuar dhunën në Siri që nga shpërthimi i luftës civile atje në vitin 2011, tha se sulmet e së premtes kishin shënjestruar një depo raketash që i përkiste Hezbollahut pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Alepos në veri të Sirisë.

Hezbollahu konfirmoi vdekjen e tre luftëtarëve pas sulmeve.

Ushtria izraelite nuk pranoi të komentonte për raportet.

Izraeli ka bombarduar objektiva në Siri me synimin për të goditur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe milicitë pro-iraniane, përfshirë Hezbollahun, të vendosur atje.

Izraeli synon të parandalojë Iranin dhe milicitë aleate të tij nga zgjerimi i ndikimit të tyre ushtarak në vend.

Sulmet izraelite në Siri janë shtuar që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit të kaluar.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like