Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dënojnë sulmin terrorist në Ankara

by admin
Spread the love

Autoritetet e Shqipërisë dhe Maqedonië së Veriut kanë dënuar sulmin e sotëm terrorist në Ankara, transmeton Anadolu.

Në reagimin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, të publikuar nga zyra e shtypit e Presidencës së Shqipërisë, Begaj thekson se shpreh solidaritetin e tij të palëkundur me popullin dhe qeverinë turke për dënimin me forcë të akteve terroriste të të gjitha formave, “të cilat sjellin shqetësim dhe kaos për rendin dhe qetësinë qytetare e më gjerë”.

“Ndaj shqetësimin e madh për aktin terrorist të ndodhur në rrethinat e Parlamentit turk në Ankara ditën e sotme, kur për pasojë pati disa të plagosur nga radhët e forcave të policisë turke. Akte të tilla terroriste janë qasje të një bote të vjetruar dhe bien ndesh me parimet dhe vlerat e botës moderne”, thuhet në reagimin e presidentit Begaj.

Në reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të publikuar në rrjetet sociale thuhet se “sulmi terrorist në Ankara është një akt i neveritshëm frikacakë që Shqipëria e dënon ashpër”.

“Ai (sulmi) duhet të ndihmojë shumë në Evropë që të kuptojnë dhe mbështesin më mirë Türkiyen në luftën e saj kundër terrorizmit”, shkruan Rama.

Edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar lidhur me sulmin terrorist në Ankara, ku në reagimin e ministrisë të publikuar në rrjetet sociale theksohet se Shqipëria dënon ashpër sulmin terrorist në Ankara.

“Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Türkiyen dhe refuzojmë çdo formë të dhunës terroriste. Mendimet tona janë me të lënduarit, teksa i urojmë atyre shërim të shpejtë”, thuhet në reagim.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, njëherësh kryesues i Organizatës së Sigurisë dhe Bashkëpunimit në Evropë (OSBE), dënoi sulmin terrorist në Ankara.

“Dënoj fuqishëm sulmin e sotëm terrorist në Ankara. Maqedonia e Veriut qëndron pranë Türkıyes. Lufta kundër terrorizmit është një luftë e përbashkët që asnjëherë nuk humb në rëndësi”, u shpreh Bujar Osmani në një postim në rrjetet sociale.

Kujtojmë se mëngjesin e sotëm ndodhi një sulm terrorist para derës hyrëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Ankara.

Ministri i Brendshëm i Türkiye-s, Ali Yerlikaya, përmes një postimi në rrjetet sociale, njoftoi se dy policë janë plagosur lehtë.

“Rreth 09:30 para derës hyrëse të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë të Ministrisë së Brendshme 2 terroristë mbërritën me një automjet tregtar dhe kryen sulm me bombë dhe se në ngjarje u plagosën lehtë dy punonjës të policisë. Një nga terroristët hodhi veten në erë ndërsa terroristi tjetër është neutralizuar. Gjatë zjarrit të hapur janë plagosur lehtë 2 punonjësit tanë të policisë. Uroj shërim të shpejtë për heronjtë tanë. Lufta jonë do të vazhdojë pa ndaluar derisa të neutralizohet edhe terroristi i fundit”, tha Yerlikaya.

MARKETING



You may also like