SHBA – Orban mbështet Trump pas takimit në Florida

by admin
Spread the love

TIRANE, 9 mars /ATSH/ – Kryeministri nacionalist i krahut të djathtë të Hungarisë, Viktor Orban, i dha mbështetjen e tij përpjekjes së aleatit të tij prej kohësh, Donald Trump për t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë, pas një takimi dje në mbrëmje me ish-presidentin amerikan në Florida, sipas “Reuters”.

“Ne diskutuam rreth një game të gjerë çështjesh që prekin Hungarinë dhe SHBA-në, duke përfshirë rëndësinë kryesore të kufijve të sigurt për të mbrojtur sovranitetin e çdo kombi”, sipas një deklarate të Trump.

Orban ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me kolegët e tij anëtarë të Bashkimit Evropian për një sërë çështjesh, duke përfshirë refuzimin për të dërguar armë në Ukrainë dhe mbajtjen e lidhjeve ekonomike me Moskën që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën në vitin 2022.

Orban tha se vetëm kthimi i kandidatit republikan Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë paqe në Ukrainë.

“Ne kemi nevojë për liderë që respektohen dhe mund të sjellin paqe në botë. Ai është një prej tyre! Kthehuni dhe na sillni paqen, zoti President!”, tha Orban në një postim në X pas takimit.

Orban admirohet nga shumë konservatorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politikat e tij të ashpra për migracionin, skemat e mbështetjes së familjes dhe qëndrimin e zëshëm ndaj sovranitetit kombëtar,

“Nën drejtimin e presidencës se Trump 2017-2021 kishte paqe në Lindjen e Mesme dhe gjithashtu në Ukrainë”, tha Orban në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Ai tha se tani nuk do të kishte një luftë në Ukrainë nëse Trump do të ishte rizgjedhur në vitin 2020.

Orban ka qenë rregullisht në mosmarrëveshje me BE-në lidhur me fushatat e tij kundër migracionit dhe reformën e gjyqësorit, OJQ-të dhe mediat nën kontrollin e shtetit, të cilat kritikët thonë se kanë gërryer demokracinë në Hungari. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like