SHBA – Biden: 1 milion fuçi naftë në ditë nga Rezerva Strategjike

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 1 prill /ATSH-DPA/- Në një përpjekje për të luftuar rritjen e çmimit të naftës, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar lirimin historik të naftës nga Rezerva Strategjike e Naftës e SHBA-së.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden ka planifikuar të lirojë mesatarisht 1 milion fuçi naftë në ditë nga rezervat për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Bota nuk ka parë kurrë një lirim të rezervave të naftës në normën prej 1 milion fuçi naftë në ditë për këtë kohëzgjatje”, tha Shtëpia e Bardhë.

“Ky lirim rekord do të sigurojë një sasi historike të furnizimit për të shërbyer si urë lidhëse deri në fund të vitit kur prodhimi vendas të rritet”, shtoi Shtëpia e Bardhë.

Biden po bën thirrje gjithashtu për një rritje të prodhimit vendas të naftës. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka akuzuar disa kompani të naftës se kanë zgjedhur të bëjnë fitime të jashtëzakonshme pa bërë investime shtesë për të ndihmuar me furnizimin.

Shtëpia e Bardhë pretendon se industria e naftës dhe gazit është e vendosur në më shumë se 12 milionë hektarë tokë federale jo prodhuese me 9 000 leje të papërdorura, por të miratuara tashmë për prodhim.

Presidenti i ka kërkuar Kongresit të detyrojë kompanitë të paguajnë tarifa për puset nga qiratë e tyre që nuk i kanë përdorur prej vitesh dhe për hektarë tokë publike që po grumbullojnë pa i prodhuar.

Biden përsëriti gjithashtu premtimin e tij për arritjen e një pavarësie reale energjetike duke reduktuar plotësisht varësinë e SHBA-së nga nafta. Presidenti Biden i ka bërë thirrje Kongresit të ndihmojë në përshpejtimin e tranzicionit drejt energjisë së pastër. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like