RUSI – Moska njofton kapjen e Soledarit, duke shënuar suksesin e parë që nga korriku

by admin
Spread the love

MOSKË, 13 janar /ATSH-DPA/ – Rusia shpalli sot kapjen e Soledarit, në rajonin e Donetskut, në Ukrainën lindore pas disa ditësh luftimesh intensive, duke shënuar suksesin e parë që nga korriku kur u pushtua Lysychansku.

“Qyteti u pushtua plotësisht nga forcat e armatosura ruse të enjten në mbrëmje”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes në Moskë. Kievi nuk e ka konfirmuar ende këtë, megjithëse ekspertët perëndimorë thanë se ka të ngjarë të ketë ndodhur.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov e përshëndeti lajmin e raportuar si të rëndësishëm për vazhdimin e ofensivës së suksesshme, në rajonin e Doneskut.

Konashenkov tha se kapja e Soledarit do të ndihmonte trupat ruse të rrethonin qytetin e Bakhmutit, rreth 10 kilometra larg. Ai shtoi se 700 ushtarë ukrainas ishin vrarë në betejë.

Ekspertët thanë se suksesi do të ishte gjithashtu i rëndësishëm për moralin rus, i dobësuar pas shumë humbjeve. Trupat e Moskës kanë pasur një strukturë të re komanduese që nga e mërkura, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Valery Gerasimov.

Humbja e qytetit do të ishte pengesa e parë e madhe për Ukrainën pas disa muajsh suksesesh në rimarrjen e qyteteve dhe territoreve në jug dhe lindje te vendit, që nga shtatori.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like