RMV-ja abstenoi – reagime – Shqip

by admin
Spread the love

AAA DISTANCOHET, ZEJDI KËRKON SHKARKIMIN E FËRÇKOVSKIT

Maqedonia e Veriut ishte në mesin e vendeve që abstenuan për Rezolutën ku bëhet thirrje për armëpushim urgjent humanitar në Rripin e Gazës, që u miratua mbrëmë vonë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Nga Rajoni, Sllovenia, Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi, votuan “pro” Rezolutës, Kroacia ishte kundër, derisa Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Greqia ishin të përmbajtur.

Pozicionimi I Maqedonisë së Veriut karshi Rezolutës, ka shkaktuar reagime në vend, përcjellë Klan M.

Alternativa është distancuar nga vota e abstenimit të Maqedonisë së Veriut nga rezoluta e OKB-së për armëpushim humanitar në Gaza.

“AlternAtivA distancohet nga kjo votë e Maqedonisë së Veriut dhe e gjykon si votë kundër paqes, armëpushimit dhe ndihmës humanitare për civilët e rrezikuar në Rripin e Gazës. Meqë e dimë se kjo është bërë me udhëzim të Ministrisë së Jashtme, kjo edhe njëherë na bind se ministri i Jashtëm dhe subjekti që ai e përfaqëson, por edhe në përgjithësi kjo qeveri, në emër të servilizmit, është në gjendje të jetë edhe kundër paqes dhe në mbështetje të dhunës dhe të luftës” – thonë nga Alternativa.

Nga ana tjetër, Skender Rexhepi – Zejdi nga Lëvizja Populli kërkon shkarkimin e ambasadorit të RMV-së në OKB, Lubomir Fërçkovski, që sipas një shkrimi në Facebook, ka njollosur shpirtin human të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.

“Në moment kur “interesat strategjike” të vdesin ndërgjegjën dhe dhembshurinë, po në atë moment dëshmon shitjen e shpirtit tënd dhe përdhosjen e vlerave njerëzore, andaj detyrohesh të votosh i përmbajtur ndaj një rezolute tejet humane dhe kundër masakrimit të fëmijëve, grave dhe pleqve në Gaza” – thuhet në postimin e Skender Rexhepit – Zejdi.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, I cili ka qenë në shënjestër të sulmeve dhe kritikave për shkak të abstenimit të Maqedonisë së Veriut, në Facebook ka publikuar një fotografi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Entoni Blinken, me rikujtimin se Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor, me të cilin ShBA-ja mbajti Dialog Strategjik, më 2 qershor 2022, në Uashington.

“Ministria e Punëve të Jashtme i koordinon aktivitetet e të gjitha institucioneve të përfshira në zbatimin e Planit të aktiviteteve në kuadër të Dialogut Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, ku theks i veçantë i kushtohet luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të së drejtës” – shkruan në FB, Bujar Osmani.

Ndryshe, Rezoluta e propozuar nga Jordania, dënon të gjitha aktet e dhunës ndaj civilëve palestinez dhe izraelit duke llogaritur edhe sulmet terroriste dhe joselektive.

Vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së juridikisht nuk janë të obligueshme, por kanë peshë morale. /KlanMacedonia/

You may also like