Pseja e një rrëmbimi klasik serb – Shqip

by admin
Spread the love

Policia e Kosovës ka vlerësuar se një rrëmbim klasik i tre policëve të Kosovës nga forcat serbe ka ndodhur sot, thellë në territorin e Kosovës, në zonën kufitare.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, major Baki Kelani, tha se rrëmbimet e tilla klasike përdoren nga forcat serbe për të mbrojtur kriminelët e kërkuar nga Policia e Kosovës. Ai ka paraqitur detaje se si ka ndodhur rasti, duke theksuar se policët po kryenin detyrën thellë në territorin e Kosovës.

“Njësiti i Policisë së Patrullës Kufitare ka qenë në detyrë zyrtare në një lokacion statik, në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë në territorin e Republikës së Kosovës, ka kryer detyrat e veta zyrtare për parandalimin e kalimeve ilegale, parandalimin e grupeve kriminale që përdorin rrugë ilegale në ato zona, me qëllim parandalimin e grupeve kriminale që kontrabandojnë dhe importojnë mallra të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe armë”, ka theksuar Kelani.

Në konferencën për shtyp u shfaq edhe harta e vendit ku u rrëmbyen policët.

Kelani tha se tre policë në detyrë në vendin statik informuan bazën se kishin parë persona të maskuar dhe të armatosur, por ekipet shtesë policore gjetën vetëm një veturë policie në vendin e ngjarjes, por asnjë oficer.

“Forcat serbe përdorin rrëmbime të tilla klasike për të mbrojtur kriminelët që kërkohen nga policia e Kosovës, të cilët janë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale dhe që kanë shkelur rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe që kanë kërcënuar oficerët e njësive të KFOR-it, si dhe zyrtarë që janë nën mbrojtjen ndërkombëtare”, theksoi Kelani.

Zëdhënësi i policisë tha se forcat serbe kanë përdorur rrëmbimet në të kaluarën si një metodë për mbrojtjen e kriminelëve, duke kujtuar kidnapimin e dy policëve në vitin 2011.

Kelani ka theksuar se janë njoftuar KFOR-i dhe mekanizmat ndërkombëtarë, nga të cilët po kërkohet të bëjnë presion ndaj Serbisë për lirimin e policëve.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës, duke thënë se kjo është hakmarrja e Serbisë për arrestimin e djeshëm të Milun Milenkoviç – Lunet, i cili, siç tha ai, përfaqëson një nga liderët e krimit të organizuar dhe kontrabandë në veri të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës kërkon lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer dhe u bën thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta dënojnë këtë akt të agresionit serb. /tesheshi.com/

You may also like