Pritej të ishte formalitet, por Liverpooli shkon në gjysmëfinale me vështirësi

by admin
Spread the love

Duhet të ishte vetëm një formalitet, por Liverpooli ia ka dalë të kualifikohet në gjysmëfinalen e Champions League me vështirësi kundër Benficas. Ekipi i Klopp u ndal në një barazim 3-3, por falë fitores 3-1 në ndeshjen e parë arriti të triumfonte me rezultatin e përgjithshëm 6-4.

Kështu anglezët kualifikohen në gjysmëfinale ku do të ndeshen përballë Villarrealit që eliminoi në mënyrë surprizë Bayern Munich.

Kjo sfidë mendohej se do të ishte një ndeshje pa shumë histori. Ekipi i Klopp pritej ta kishte thjesht një formalitet këtë takim dhe mendimi i forcua edhe më shumë kur Konate i dha avantazhin Liverpoolit që po dominonte takimin.

Megjithatë, Benfica arriti të reagonte dhe gjeti rrugën e rrjetës me Nunez, por anësori sinjalizoi për pozicion jashtë loje. Pranë golit do të shkonte edhe Luis Diaz, por portieri Vlachodimos nxori nga repertori i tij një super pritje për të mbajtur rezultatin e pandryshuar.

Benfica surprizoi Anfield në minutën e 32-të kur Ramos gjeti edhe golin që vendosi baraspeshën. Gjyqtari priti edhe konfirmimin e sistemit VAR për të akorduar më pas se çdo gjë ishte e rregullt.

Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, ndërsa në fundin e saj edhe Naby Keita provoi me një predhë nga jashtë zone, por topi kaloi ngjitur me shtyllën.

Në pjesën e dytë, Liverpooli mori sërish në dorë fatin e vetë duke shënuar edhe dy gola të shpejtë me anë të Roberto Firmino. Sulmuesi brazilian i shpëtoi dy herë mjaft mirë mbulimit të mbrojtjes duke e çuar rezultatin në 3-1.

Megjithatë, Benfica ngushtoi diferencat, me anë të Roman Yaremchuk. Pas një pasimi mjaft të bukur të Grimaldo, ukrainasi doli i vetëm përballë portierit dhe nuk fali duke i fiksuar shifrat në 3-2. Në minutën e 83, Benfica gjeti edhe golin që vendosi sërish baraspeshën. Këtë herë ishte radha e ylli të ekipit Darwin Nunez për të vendosur emrin e tij në tabelën e lojtarëve që shënuan.

Në minutat e mbetura të takimit u prodhuan edhe disa raste të tjera shënimi, por asnjë nga lojtarët nuk finalizoi dot në gol aksionin. Kështu sfida përfundoi me rezultatin 3-3 me Liverpoolin që kalon në gjysmëfinale ku do të ketë përballë surprizën e bukur të këtij kompeticioni, Villarreal. /oversport.tv

Foto: UEFA Champions League, Twitter

You may also like