Plagosja e një serbi, arrestohen katër policë të Kosovës – Shqip

by admin
Spread the love

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar para mesnate se janë arrestuar katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës të cilët më herët ishin pezulluar për plagosjen e një serbi me armë zjarri në veri të Kosovës.

Më herët në mbrëmjen e së martës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dënoi plagosjen e serbit pranë postbllokut të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit, raporton Beta.

“BE-ja në Kosovë dënon incidentin e sigurisë në të cilin një serb i Kosovës u plagos me armë zjarri të hënën në mbrëmje pranë pikës së kontrollit të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit. Të gjitha institucionet përkatëse gjyqësore tani duhet të kryejnë një hetim të shpejtë dhe të plotë dhe të nxjerrin përgjegjësit para drejtësisë”, tha Zyra e BE-së në një deklaratë në Tëitter.

Ngjarja është dënuar edhe më herët nga Ambasada Amerikane në Kosovë.

Policia e Kosovës fillimisht ka mohuar përfshirjen e policisë në këtë rast të martën në mëngjes, ndërsa më pas ka njoftuar se ka pezulluar katër policë të dyshuar si të përfshirë, përfshirë edhe njërin që mund të ketë qëlluar me armë zjarri.

Kjo ka shqetësuar Ambasadën Amerikane në Kosovë, e cila ka kërkuar një hetim.

“Të gjithë qytetarët duhet t’i besojnë transparencës së punonjësve të rendit dhe të sektorit gjyqësor. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për institucionet e sundimit të ligjit, avancon vizionin e përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik”, tha ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Një thirrje për përgjegjësi

Sipas tij, “të gjithë personat përgjegjës për këto vepra kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se konform procedurave ligjore ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë kompetente për procedurë të mëtutjeshme penale.

“Policia e Kosovës do të vazhdojë të kryejë detyrat e saj zyrtare në përputhje me kompetencat ligjore, do ta informojë publikun në mënyrë të drejtë dhe të paanshme, pavarësisht se kush është i përfshirë në këtë rast dhe në çfarë rrethanash, dhe nuk do të veprojë ndryshe, përveçse në përputhje me ligjet”, shtoi në deklaratën e saj.

Policia tha se do të bashkëpunojë ngushtë me inspektoratin dhe prokurorinë, për të përcaktuar përgjegjësinë e punonjësve të policisë që nuk respektojnë dhe nuk veprojnë sipas standardeve më të larta etike dhe profesionale.

Më pas u njoftua se ishin arrestuar katër policët e pezulluar. /tesheshi.com/

 

You may also like