Përfundon armëpushimi, Izraeli rifillon sulmet në Gaza – Shqip

by admin
Spread the love

Afati i fundit i armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit ka përfunduar në orën 07:00 të mëngjesit. Duket se nuk ka shpresa për zgjatur armëpushimin pasi Izraeli thotë se ka rifilluar luftimet në Rripin e Gazës.

Në një postim në rrjetin social “X”, Forcat Mbrojtëse të Izraelit pretenduan se Hamasi kishte hapur zjarr ndaj Izraelit duke shkelur kështu kushtet e marrëveshjes së armëpushimit.

Pak para përfundimit të armëpushimit 7-ditor, Izraeli tha se kishte rrëzuar një raketë të lëshuar nga Gaza. Ndërkohë, Ministria e Brendshme e Sigurisë Kombëtare e drejtuar nga Hamasi deklaroi se disa sulme ajrore kanë goditur Rripin e Gazës.

Këtë e kanë konfirmuar edhe burime të BBC brenda Gazës. Burimet për median prestigjioze thanë gjithashtu se disa shpërthime janë dëgjuar në veri të Gazës dhe ka pasur një shkëmbim zjarri në veriperëndim të qytetit të Gazës.

Që nga fillimi i armëpushimit më 24 Nëntor, 110 pengje të mbajtur në Gaza janë liruar, ndërsa Izraeli ka liruar 240 të burgosur palestinezë.

Sulmet e Hamasit mbi Izraelin më 7 Tetor vranë 1200 njerëz. Që atëherë, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi thotë se më shumë se 14,800 njerëz janë vrarë nga Izraeli, duke përfshirë këtu rreth 6,000 fëmijë./tvklan.al

You may also like