PEKIN – Lavrov: Rusia dhe Kina të krijojnë ‘opozitë të dyfishtë’ ndaj Perëndimit

by admin
Spread the love

MOSKË, 9 prill /ATSH-DPA/- Qeveritë në Pekin dhe Moskë duhet të rrisin angazhimin e tyre me njëra-tjetrën në mënyrë që të ofrojnë një kundërpeshë ndaj qëndrimit dominues gjeopolitik të Perëndimit, tha sot kryediplomati rus në kryeqytetin kinez.

“Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi ka propozuar që të dy fuqitë të krijojnë një opozitë të dyfishtë për të kontrolluar ambiciet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov gjatë një konference për shtyp.

“Udhëheqësit tanë, presidenti Vladimir Putin dhe udhëheqësi kinez Xi Jinping, kanë theksuar në mënyrë të përsëritur vendosmërinë nga ana e Rusisë dhe Kinës për të kundërshtuar tentativat për të frenuar përpjekjet për të ndërtuar një rend botëror shumëpolar”, tha Lavrov.

Lavrov, i cili ka qenë ministër i Jashtëm i Rusisë për më shumë se 20 vjet, tha se marrëdhëniet midis Kinës dhe Rusisë ishin në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave dhe se të dy palët kishin rënë dakord për fillimin e një dialogu për çështjet e sigurisë euroaziatike, pa elaboruar.

Xi dhe Putin deklaruan një partneritet “pa kufij” pak para se Rusia të pushtonte fqinjin e saj Ukrainën në shkurt 2022.

Udhëheqja kineze nuk e ka dënuar luftën ruse kundër Ukrainës, por vazhdon të fajësojë Perëndimin për konfliktin.

Lavrov falënderoi Kinën për mbështetjen e Putinit në zgjedhjet ruse muajin e kaluar, të cilat i dhanë Putinit një mandat tjetër 6-vjeçar në pushtet.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like