Paralajmërim për kërcënimin e ekstremit të djathtë në Perëndim – Shqip

by admin
Spread the love

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres paralajmëroi për kërcënimin e paraqitur nga grupet supremaciste të ekstremit të djathtë dhe të bardhë në Perëndim, pasi autoritetet në Gjermani zbuluan një grup që planifikonte një përpjekje për grusht shteti.

Shefi i OKB-së, duke folur në konferencën e tij vjetore për shtyp në New York, tha se rasti në Gjermani ishte vetëm një shembull i kërcënimit që e djathta ekstreme paraqet për shoqëritë demokratike në mbarë botën.

“Doli se kërcënimi më i madh i terrorizmit sot në vendet perëndimore vjen nga e djathta ekstreme, neo-nazistët dhe supremacistët e bardhë”, tha Guterres.

“Dhe unë mendoj se ne duhet të jemi shumë të qartë dhe shumë të vendosur në dënimin e çdo forme të neo-nazizmit, supremacistëve të bardhë, çdo forme antisemitizmi dhe urrejtjeje anti-myslimane”, tha ai.

“Ky është padyshim një kërcënim dhe ne duhet ta luftojmë këtë kërcënim me vendosmëri të jashtëzakonshme”, shtoi ai.

Prokuroria federale e Gjermanisë arrestoi 25 të dyshuar në fillim të këtij muaji, ndërsa mijëra oficerë policie bastisën 130 lokacione në 11 shtete gjermane kundër mbështetësve të lëvizjes “Qytetarët e Rajhut” (Reichsbuerger).

“Qytetarët e Rajhut” nuk e njohin Republikën Federale të Gjermanisë dhe strukturat e saj demokratike.

Prokurorët thanë se anëtarët e lëvizjes dyshoheshin se “bënin përgatitje konkrete për të hyrë me forcë në parlamentin gjerman me një grup të vogël të armatosur”.

Ata shtuan se 22 persona të arrestuar janë shtetas gjermanë dhe u arrestuan nën dyshimin për “anëtarësim në një organizatë terroriste”, ndërsa tre të tjerë dyshohet se e mbështetën atë organizatë, duke përfshirë një shtetas rus.

Sipas raportimeve, komplotistët kërkuan të formonin “kompani të sigurimit të vendit” për të kryer arrestime dhe ekzekutime pas përmbysjes së shtetit gjerman.

Rëndësia e rrjeteve sociale

Kreu i OKB-së iu përgjigj edhe një pyetjeje nëse mendon se Elon Musk, pronari i ri dhe i paparashikueshëm i Twitter-it, paraqet një kërcënim për lirinë e fjalës.

Guterres tha se rrjetet sociale kanë një përgjegjësi të veçantë për të ruajtur lirinë e medias dhe për të shmangur përhapjen e urrejtjes në platformat e tyre. Por ai nuk pranoi të adresonte drejtpërdrejt përshtatshmërinë e Musk për të udhëhequr rrjetin social global.

“Rekomandimi im për këdo që zotëron ndonjë platformë është të sigurohet që liria e shprehjes, veçanërisht gazetarëve, të respektohet dhe që gjuha e urrejtjes, neo-nazizmi, supremacizmi i bardhë, format e tjera të ekstremizmit të mos e gjejnë rrugën e tyre nëpër këto platforma sociale”. tha ai.

 “Nuk kam ndjenja personale se kush e drejton platformën. Jam shumë i interesuar se si menaxhohet platforma.” /tesheshi.com/

You may also like