“Palermo është e jona, jo e Cosa Nostra”, të rinjtë në Itali duartrokasin policinë pas arrestimit të bosit të mafias

by admin
Spread the love

“Palermo është e jona dhe jo e Cosa Nostra”. Me këtë parrullë të rinjtë në Palermo të Italisë kanë duartrokitur në shenjë falenderimi policët italianë.

Dhjetra qytetarë u mblodhën përpara kazermës së policisë për të duartrokitur karabinierët pas arrestimit të kreut të Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro, i cili ishte në arrati prej 30 vitesh.

Aksioni i djeshëm i policisë dhe prokurorisë për arrestimin e kryemafiozit ishte më i rëndësishmi në Palermo që pas kapjes së Toto Riina më 15 Janar 1993.

“Jemi këtu si qytetarë të thjeshtë dhe për të vlerësuar aksionin. Jemi këtu për të falenderuar dhe kujtuar që shteti ekziston”, tha një qytetare.

Ndërsa një zonjë tjetër mbante foton e famshme të gjyqtarëve italianë Giovanni Falcone dhe Borsellino, tha për mediat vendase: “Ky është momenti për të falenderuar forcat e rendit. Sot e lëmë mënjanë politikën”.

Matteo Messina Denaro, bosi 60-vjeçar i Cosa Nostra-s u arrestua të hënën në klinikën private Maddalena, në Palermo, ku kurohej për tumorin të paktën prej 1 viti. Hetimet për të zhvilloheshin prej kohësh dhe arrestimi u krye nga karabinierët e Ros të Palermos.

You may also like