Një apo shumë? | Shqip

by admin
Spread the love
Arber Zaimi

Po, ekzistojnë “shqipëritë”. Kanë ekzistuar gjithnjë, si fenomen paramodern, paralel me “gjermanitë”, “francat”, “serbitë”, “turqitë”, “rusitë” etj. Habia e perëndimorit është se si ka mundësi, kaq pranë perëndimit, paska ende shoqëri që ruajnë dimensione të asaj larmisë paramoderne – shoqëri ku arsimi e shëndetësia janë të pastandardizuara, ku ligji zbatohet sipas vullnetit, tekave ose zakoneve, ku krahinarizmat janë më të forta se kombëtarizma e kështu me radhë.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Në vitin 1938 gazetari italian Indro Montanelli, në atë kohë tridhjetëvjeçar e besimtar i madh i partisë fashiste, erdhi në Shqipëri për të qëndruar pranë prindërve. I ati punonte si zyrtar i lartë arsimor në kuadër të bashkëpunimit të Zogut me Mussolinin, proces prej të cilit mbreti shqiptar priste modernizimin e vendit të vet, ndërsa diktatori italian zgjerimin e vendit të vet.

Një vit më vonë, gazetari i ri e shkroi librin “Shqipëria një dhe një mijë”, me përshtypjet dhe vëzhgimet e tij nga Shqipëria, i cili – si çdo vepër e llojit – tregon për objektin e vëzhguar po aq sa edhe për dioptrinë dhe kromatikën e syzeve të vëzhguesit.

Kur kryeredaktori i Revistës “Shenja”, z. Ismail Sinani, më ftoi të shkruaj për temën se a kanë shqiptarët një orientim a disa orientime, një ideal kombëtar apo disa syresh, me një fjalë se a ka “një Shqipëri” apo “disa shqipërira”, menjëherë më ra ndërmend libri i Montanellit.

Montanelli reflekton një habi fillestare – si ka mundësi një komb kaq i vockël e materialisht i vobektë, të reflektojë një larmi kaq të theksuar të dokeve, zakoneve, të folmeve, besimeve ose të organizimit shoqëror, atij estetik e ekonomik. Këtë habi të çiltër e gjen edhe sot e kësaj dite te shumë vizitorë perëndimorë që u bie të udhëtojnë në krahinat e shtetet ku jetojnë shqiptarët. Ndonjëri prej tyre edhe e ka shkruar “shqiptarët na kujtojnë Europën e shumë dekadave më parë”.

Ku e ka fillin kjo habi, e cila shoqërohet me nostalgjinë intuitive “këta qenkan si kemi qenë ne dikur”?

Ata që kanë parë filmin e fundit të regjisorit anglez Ridley Scott-it, por që nuk kanë lexuar shumë për Napoleonin, mund të mendojnë se gjenerali gjenial nuk ishte gjë tjetër, pos një aventurier. Ndërsa të tjerët kanë vënë në dukje se regjisori i famshëm është bazuar kryesisht në burimet nga propaganda që armiqtë e Napoleonit, kryesisht britanikët, përdornin asokohe. Armiq të Napoleonit ishin dhe gjermanët, por filozofi eminent, Hegeli, e përshkruante Napoleonin si “fryma e botës”. Hegeli, i cili vlerësonte se njeriu është ajo çka bën, duket se besonte që Napoleoni përfaqësonte të vërtetën qendrore të evolucionit të shoqërisë njerëzore në atë kohë. Napoleoni, sipas tij, ishte “iluminizmi hipur mbi kalë e i armatosur me shpatë, që shkatërron frone e altarë e që i hap rrugën botës moderne”.

Pse mendonte Hegeli kështu? Arsyet mund të kenë qenë të shumta, por ndër to patjetër ka qenë themelimi i institucioneve që sot na duken si të mirëqena e të kahmotshme, duke filluar nga kodifikimi dhe standardizimi i legjislacionit, e deri te arsimi e shëndetësia publike. Para Revolucionit, Franca nuk ishte “një”, por “një mijë”. Ajo ishte një shtet nën një mbret, vërtet, mirëpo shoqëritë që e përbënin nuk kishin ndonjë ligj qendror, përveç autoritetit të mbretit e të fisnikëve më të vegjël. Kudo kishte ligje zakonore që ndryshonin, nga krahina në krahinë, nga malësia në malësi, nga qyteti në qytet. Teksa Revolucioni Borgjez francez çliroi potencialin e shtresave borgjeze, themelimi i kodit civil modern prej Napoleonit bëri të mundur fillimin e modernitetit kapitalist në Francë. Prodhimi e tregtia moderne nuk do të mund të rriteshin në një vend ku secila krahinë ka ligje, dënime, gjoba ose licenca të ndryshme e të pastandardizuara. Është e njëjta ekonomi kapitaliste ajo që dikton domosdoshmërinë e një gjuhe të standardizuar, që mundëson komunikimin bazë për çështje burokratike, tregtare ose gjyqësore, e po e njëjta ekonomi me nevojën për punëtorë të kualifikuar e të shëndetshëm dikton nevojën për arsim e shëndetësi publike e të gjithëmbarshme. Kalorës i përmbushjes së këtyre nevojave, pra, ishte Napoleoni, me shpatë në dorë. Fuqitë europiane më pas e mposhtën korsikanin, mirëpo arritjet e tij mbetën dhe u implementuan edhe prej vendeve që e konsideronin armik. Jo vetëm Franca, që kishte një mijë kanune zakonore e që u bë me një kod të vetëm, por edhe Gjermania, e cila kishte “një mijë” shtetthe sovrane, u bë një përmes Bismarck-ut, i cili nuk u mjaftua vetëm me bashkim mekanik shtetesh, por edhe me njësimet ligjore, gjuhësore, institucionale, që i përkasin shtetit modern. Në jug të Europës ky modernitet arriti më vonë: Italia qendrore e ajo jugore i rezistuan unifikimit institucional përmes rrugëve shpesh joligjore, deri vonë në shekullin XX. Në Spanjë, në Jugosllavi e në Europën Lindore moderniteti njësues u përpoq të instalohej përmes diktaturave të Franco-s, të Titos, e të diktatorëve stalinistë e post-stalinistë, gjë që në disa raste solli përbashkim të rezistencës antiiluministe me rezistencën antikomuniste (fenomen që sot shkakton fuqinë e së djathtës ekstreme në vendet ish-komuniste ose atë të së majtës ekstreme në rastin e Spanjës).

Pra, po, ekzistojnë “shqipëritë”. Kanë ekzistuar gjithnjë, si fenomen paramodern, paralel me “gjermanitë”, “francat”, “serbitë”, “turqitë”, “rusitë” etj. Habia e perëndimorit është se si ka mundësi, kaq pranë perëndimit, paska ende shoqëri që ruajnë dimensione të asaj larmisë paramoderne – shoqëri ku arsimi e shëndetësia janë të pastandardizuara, ku ligji zbatohet sipas vullnetit, tekave ose zakoneve, ku krahinarizmat janë më të forta se kombëtarizma, e kështu me radhë.

Që të jemi të qartë, moderniteti perëndimor ka brenda larmitë e veta. Ato më shumë janë megjithatë larmi të identiteteve e sjelljeve individuale, sesa larmi të identiteteve kolektive të tipit krahinor e zakonor. Mandej, ato më shumë janë larmi të sferës private, teksa në aspektin publik ka një tendencë vazhdimisht monolitizuese e standardizuese.

Në këndvështrimin tim, të qenit një dhe të qenit shumë nuk janë dy gjendje suksesive, por janë të mbivendosura në një shoqëri, dhe krijojnë tension dialektik.

Nëse e analizojmë aspektin ekonomik-shtresor të kësaj dialektike mes “njësimit” dhe “shumësisë”, dallojmë se shtresa më e ulët e ajo më e pasura karakterizohen nga shumësia, ndërsa e mesmja priret drejt njëjtësimit e njësimit. Shtresa më e ulët e përjeton shumësinë si mungesë standardi, si primitivizëm i gjithhershëm që nxjerr kokën kudo që ka mjerim. Në kushtet e varfërisë, mjetet e përditshme shpesh duhen sajuar vetë, ushqimi gatuhet me çka të bie në dorë, ndërsa në rastet më fatkeqe njerëzit detyrojnë të rikthehen në gjendjen e “gjuetarëve dhe mbledhësve”, duke mbledhur sende tek mbeturinat e të tjerëve. Shtresa e mesme, nga ana tjetër, ka në dispozicion mjete dhe mall të certifikuar e të standardizuar ndërkombëtarisht si nga ana e përbërësve, ashtu edhe e përdorimeve dhe e çmimeve. Stili i jetesës së kësaj shtrese shoqërore është gjithnjë e më i programuar, që nga ushqimi me përllogaritje kalorike, e deri te kartelat shëndetësore elektronike. Ndërsa shtresa më e lartë është e lirë prej standardizimeve, ajo përdor mjete të prodhuara jashtë serie, nga artizanë e artistë e jo nga robotë apo fabrika. Ushqimi i tyre gatuhet prej shefave që shpikin receta e jo prej atyre që zbatojnë të tilla. Ata të shtresës së lartë janë sovranë të agjendës së tyre.

Nëse e analizojmë aspektin organizativ-shoqëror, edhe aty ka një shtresë të ulët që i ikën standardizimit, njësoj si edhe shtresa e epërme. Për shembull, në shtëpinë e vet, në jetën private, kur është ditë pushimi – aty ku niveli organizativ përgjithësisht është më i ulët – secili mund të ketë agjendën ditore ose, fjala vjen, të gatuajë siç do vetë. Por, në vendin e punës – ku është një nivel disi më i lartë organizimi e kontrolli, vetvetiu agjendat e proceset janë më të rregulluara me protokoll standard, që mundëson edhe llogaridhënien. Restorantet që u shërbejnë të punësuarve zakonisht kanë meny të standardizuara – nëse t’i porosit një artikull nga menyja pritshmëria është se do të jetë i njëjti, si sot si pas një viti. E në nivelin më të lartë të organizimit, fjala vjen në shtabin kreativ të korporatave të mëdha, ka një liri shumë të madhe veprimi e paparashikueshmërie, duke lënë hapësirë edhe për destruktivitetin që krijon kreativitetin.

E nëse do të marrim në analizë aspektin gjeopolitik, atëherë duhet të flasim për qendër e periferi. Sa më larg që një vend t´i ketë kufijtë e vet (jo në sensin formal shtetëror, por në sensin e sferave të influencës dhe logjikës së kampeve), aq më shumë ka lirinë për larmi. Fjala vjen, kufijtë e SHBA-së janë aktualisht në Ukrainë, në Lindje të Mesme e në Tajvan. Prandaj, në SHBA ka liri më të madhe për larmi, e cila madje di të jetë edhe fort e polarizuar. Ndërkaq, në vendet e popujt që kufijtë i kanë shumë pranë, fjala vjen edhe në vendet ku jeton kombi shqiptar, hapësira për larmi rrudhet. Aty ku kufiri (jo me shtetin fqinjë, por me kampin kundërshtar) është shumë pranë, aty imponohet një lloj unifikimi i tipit “një komb një qëndrim”. Sidoqoftë, meqenëse siç thamë fenomeni është dialektik dhe lë hapësirë për prezencë kontradiktore të të kundërtave, duhet vënë në dukje se më lehtë është të jesh “një” aty ku shteti është i fortë, pra në qendër të perandorive, e më e vështirë, ndonjëherë e pamundur, është të jesh “një” aty ku më së shumti ka nevojë, pra në hapësirat kufitare ndërmjet kampeve. Ky lloj “diversiteti” është një lloj dobësie e imponuar, karakteristike për zonat kufitare. Kombi shqiptar vazhdimisht ka ekzistuar në të tilla zona kufitare, ka zhvilluar folklor në përputhje me historinë e tij (kreshnikët janë luftëtarë të zonës kufitare), ka besimet fetare që dëshmojnë për kufirin mes katolicizmit e ortodoksisë, e më vonë për kufirin europian të përhapjes së islamit, teksa edhe dy makrodialektet e shqipes mbase reflektojnë edhe kufij mes perandorish mesjetare (bullgare e serbe).

Në këto shënime të shkurtra, që natyrisht kanë nevojë për më shumë shtjellim e pikëpamje kritike, mbase kam arritur të skicoj këndvështrimin tim sa i përket Shqipërisë si një dhe shqipërive si shumësi.

Një-shi ynë rrjedh prej rrezikut gjeopolitik dhe prej dëshirës për t´iu larguar prapambetjes, njëfarë avancimi social prej shtresës së ulët drejt shtresës së mesme, prej lirisë e çorganizimit të të varfrit, drejt rregullës e organizimit të shtresës së mesme.

Ndërsa larmia e shumësia jonë kryesisht burimin e ka në historinë paramoderne, e cila tek ne ka zgjatur deri në shekullin XX, e meqenëse nuk u ndërpre si pasojë e modernizimit ekonomik, por si pasojë e diktaturave vazhdon të jetojë në forma ligjore e joligjore, formale e joformale, edhe sot. Larmia te ne është burimore, është pjesë e identitetit tonë dhe ne e duam. Ajo është edhe pjesë e të qenit Një, pra element përbërës i kombit tonë. Mirëpo, jo rrallë ajo instrumentalizohet prej atyre që mbjellin përçarje me qëllim të parandalimit e institucionalizimit të Një projekti shqiptar, i cili do të mundësonte modernizimin dhe forcimin shtetëror (pra trupor) të kombit tonë. Një teh i hollë mes këtij tensioni, që gjen rrugën e njëjtësimit, duke ruajtur larminë, që gjen rrugën e forcimit duke ruajtur lirinë, është rruga ideale përpara, për kombin tonë.

You may also like