Në UT mbajti ligjëratë Faton Limani nga Universiteti i Harvardit – Shqip

by admin
Spread the love

Në amfiteatrin e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tetovës, administratori i Departamentit të Letërsisë krahasuese i Universitetit të Harvardit në SHBA, Faton Limani, sot mbajti ligjëratë të hapur kushtuar “Gjuhës shqipe në Universitetin e Harvardit”. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Salajdin Salihu, Dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani, dekanë, profesorë dhe studentë.

Dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani në fjalën e tij tha se studimet albanistike në SHBA kanë dhënë një ndihmesë me vlerë për njohjen e botës shqiptare, e kanë begatuar dijen dhe e kanë ushqyer miqësinë midis dy popujve. “Albanistët amerikanë kanë shtruar çështje themelore në studimet gjuhësore shqiptare. Përvoja e madhe në përshkrimin e gjuhëve, teknikat dhe metodat e zhvilluara për hulumtim në terren, kanë bërë që ata të jepnin vepra me peshë, siç janë përshkrimet e Eric P.Hamp-it, të Leonard Newmark-ut, të Gary L.Bevington-it për fonologjinë gjenerative të shqipes, të Victor Friedman-it për morfosintaksën, të Brian Joseph-it për infinitivin e parë dhe në kontekst ballkanik, të Janet Byron-it për standardizimin e shqipes, të Lukas Tsitsipiis-it për gjendjen sociolinguistike të arbërishtes së Greqisë, të Philip Hubbard-it për sistemin foljor, të Mat Curtis-it për raportet e shqipes me gjuhët sllave, të Stavro Skendit për metrikën dhe epikën apo për historinë kulturore, të Arshi Pipës për letërsinë shqipe e italiane, të Peter Priftit për historinë më të re, të Nikolla Panos po ashtu për historinë e re, të Bernd Fischer-it për historinë e Luftës së Dytë Botërore e për periudhën e Zogut, e më të rinjve në fusha të ndryshme”, u shpreh Dekani i Fakultetit Filologjik, Berton Sulejmani.

Administratori i Departamentit të Letërsisë krahasuese i Universitetit të Harvardit në SHBA, Faton Limani ligjëratën e tij e zhvilloi në formë të bashkëbisedimit me studentët, ku u diskutua mbi disa pika të ndryshme, por kryesisht u bazua te lidershipi dhe mundësitë që studentët i kanë për të vijuar rrugëtimin e tyre arsimor- shkencor në SHBA.

You may also like