Natyrshmëria e identitetit shumështresor përballë totalitarizmit identitar

by admin
Spread the love
Ardian Muhaj

Të gjendur të ndarë në shtete të ndryshme, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe në diasporë, shqiptarët përballen me realitete politike dhe socio-ekonomike të ndryshme. Interesante është se në aspektin kuptimor është legjitimuar metafora e disa Shqipërive, në kuptimin që secila prej pjesëve të ndara të hapësirës kombëtare shqiptare është një Shqipëri ose, metaforikisht, edhe përkundër ndarjes: Shqipëria është një.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Identiteti është, në një përkufizim të thuktë, pikëtakimi i dy këndvështrimeve: mënyrës se si një individ apo bashkësi njerëzore e këndvështron vetveten dhe mënyrës se si të tjerët e këndvështrojnë këtë individ ose bashkësi njerëzore. Pra, identiteti gjithmonë përfshin elementë të ndryshëm që ndikojnë në mënyrën se si individët ose bashkësitë e shohin veten dhe si identifikohen nga të tjerët. Këto elementë mund të përfshijnë, por nuk janë të kufizuara, në veçori fizike, karakteristika personale, vlera, besime, përkatësi kulturore, etnike, sociale, profesionale dhe kombëtare.

Në këtë këndvështrim, edhe identiteti kombëtar shqiptar, si përcaktues i një bashkësie historike, kulturore dhe gjuhësore, është zhvilluar dhe përshtatur përgjatë shekujsh për të reflektuar ndryshimet sociale, politike, ekonomike etj., që kanë ndodhur brenda dhe jashtë kufijve të hapësirës shqiptare. Kjo përbën atë që ne zakonisht e quajmë histori, e gjatë dhe e pasur, që fillon që nga kohët e lashta e deri sot.

Në një botë ku koncepti i identitetit vazhdon të evoluojë dhe të pasurohet nga një diversitet i pashtershëm kulturor, social dhe individual, ideja e një identiteti shumështresor bëhet gjithnjë e më qendrore në diskursin mbi veten dhe të tjerët. Kjo natyrshmëri e identitetit shumështresor përballet shpesh me sfida të mëdha në kontekste ku totalitarizmi identitar kërkon të imponojë një kuptim të ngurtë dhe të uniformizuar të identitetit.

Identiteti shumështresor ngërthen një përmbajtje komplekse të ndjenjave, përkatësive, vlerave dhe përvojave, që formojnë veten e një individit. Ky këndvështrim pranon që një person mund të identifikohet njëkohësisht me shumë grupe të ndryshme, duke përfshirë, etnitë, gjinitë, klasat sociale, besimet fetare dhe interesat personale. Ky model i identitetit u kundërvihet nocioneve monolitike, që shpesh përpiqen ta reduktojnë kompleksitetin e një individit në një ose disa karakteristika të veçanta.

Nga ana tjetër, totalitarizmi identitar është një këndvështrim që përshkruan përpjekjet për të imponuar një identitet të unifikuar, të thjeshtëzuar dhe të kontrolluar nga shteti ose nga grupe të tjera dominuese në shoqëri. Kjo mund të përfshijë praktika si asimilimi i detyruar, diskriminimi dhe përjashtimi i individëve ose grupeve që nuk përputhen me normat e vendosura. Totalitarizmi identitar shpesh shërben për ta forcuar kontrollin social dhe politik, duke e bërë diversitetin të duket si një kërcënim ndaj rendit dhe stabilitetit.

Përballja midis natyrshmërisë së identitetit shumështresor dhe totalitarizmit identitar paraqet një betejë themelore për autonominë individuale dhe të drejtat njerëzore. Një shoqëri që vlerëson dhe mbron diversitetin e identitetit, e inkurajon frymën e lirisë dhe mirëkuptimit. Përkundrazi, një shoqëri që ndjek një rrugë totalitare në nivelin e identitetit, rrezikon të shtypë, të frenojë, zhvillimin e natyrshëm dhe harmoninë sociale.

E gjitha kjo ndodh, sepse njeriu, grupet shoqërore dhe shoqëritë, në përgjithësi, nuk mund të konceptohen të ngurta dhe as të njëtrajtshme. Secili individ i ka shtresëzimet e veta identitare, të cilat nuk mund të mos merren parasysh nga të tjerët, qofshin individë ose institucione. Një person mund të jetë anëtar i cilësdo kombësi ose grup etnik që ekziston në shoqërinë njerëzore. Liritë themelore, të njohura ndërkombëtarisht, ia krijojnë mundësinë një anëtari të një grupi etnik ose kombësie të jetë pasues i fesë që dëshiron. Gjithashtu, edhe prejardhja, gjuha, vendlindja, datëlindja, gjinia e shumë elementë të tjerë, që përbëjnë tërësinë e elementëve identitarë të njeriut, ndryshojnë nga individi në individ.

Për habi, megjithatë diskutimi mbi papajtueshmërinë ose antagonizmin mes elementëve përbërës të identitetit vazhdon në debatin shkencor dhe opinionin publik shqiptar në linja pothuajse të njëtrajtshme e të pandryshueshme që nga dekadat e fundit të shek. XX. Krijohet përshtypja se, pavarësisht tri dekadave që kanë kaluar nga përmbysja e regjimit totalitar, mendësitë totalitare gjallojnë në diskursin publik shqiptar, shpesh edhe pa qenë të vetëdijshëm për këtë këndvështrim përjashtues dhe të ngurtësuar në kohë.

Këndvështrimi ekskluzivist ose përjashtues i identitetit shumështresor është jo vetëm i pamundur, por edhe bie ndesh me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e një shoqërie të lirë, integruese dhe me vlerat e parimet mbi të cilat është ideuar dhe ndërtuar Bashkimi Europian dhe vendet demokratike. Dilema “kombi apo feja”, që shpesh shtrohet në formë pyetjeje në opinionin publik shqiptar përbën një dilemë jologjike dhe të pavlerë. Kjo dilemë është trashëgimi e totalitarizimit të diskursit publik në periudhën e diktaturës komuniste dhe ishte pjesë e strategjisë për të luftuar dhe zhdukur fenë dhe besimin fetar. Fakti që Shqipëria përbën rastin e vetëm në histori dhe në botë ku pushteti diktatorial shpalli zhdukjen e fesë dhe ndaloi besimet fetare e shpjegon më së miri pse kjo dilemë jologjike ekziston ende në debatin publik shqiptar. Është mbetje e mënyrës së të menduarit totalitar dhe totalitarizues. Si e tillë, shtruarja e kësaj dileme në opinionin publik përbën shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njohura nga kushtetuta dhe njëkohësisht të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të njohura ndërkombëtarisht.

Për këtë arsye mund të themi se debati më i keqndërtuar dhe i instrumentalizuar në diskursin shkencor dhe publik shqiptar ka qenë ai i antagonizmit mes identitetit ose ndjenjës fetare dhe asaj etnike/kombëtare. Në këtë aspekt, duke marrë si koncept bazë njeriun si qenie me identitet shumështresor, mund të vërtetojmë pamundësinë e identitetit njështresor. Përmes shumë shembujve dhe rasteve konkrete historike nga publicistika shqiptare e shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, mund të vijmë lehtësisht në përfundimin se antagonizmi i supozuar mes kombit dhe fesë, mes familjes dhe shoqërisë, mes qytetarit dhe pushtetit, mes krahinës dhe shtetit, etj., është një antagonizëm artificial dhe i padobishëm. Në vend të antagonizmit të identiteteve dhe identitetit njështresor, tek njeriu vlen ideja e simbiozës së shtresave identitare ose e natyrshmërisë së identitetit shumështresor. Pra, edhe kombi edhe feja, edhe familja edhe shoqëria, edhe qytetari edhe pushteti, edhe krahina edhe shteti, etj.

Liritë dhe të drejtat themelore, të njohura në bazë të kushtetutës së secilit vend, si edhe të njohura ndërkombëtarisht, u referohen pikërisht këtyre lirive të shprehjes së identitetit shumështresor, ku përfshihen liria e fjalës, e besimit, e gjuhës amtare etj. Personalitetet e mëdha të njerëzimit janë shembulli më i qartë i natyrshmërisë së identitetit shumështresor dhe i pamundësisë së identitetit njështresor. Kjo, natyrisht, vlen edhe për personalitetet dhe figurat e shquara të historisë dhe kulturës sonë kombëtare. Shtresëzimet e ndryshme të identitetit nuk janë përjashtuese, por janë përplotësuese. Pra, nuk ka dyshim se një besimtar i mirë mundet me qenë njëkohësisht edhe atdhetar i flaktë, edhe qytetar aktiv, edhe nënshtetas besnik, edhe profesionist i përsosur, edhe familjar i përkushtuar, etj. Përpjekja për ndarjen e identitetit të njeriut në shtresa të izoluara dhe shkëputura nga vetë njeriu është antinjerëzore, antifetare, antikombëtare dhe antisociale.

Identitet kombëtar, identitet tejkombëtar dhe identitet këtejkombëtar

Identiteti kombëtar i një populli nuk është shtresëzimi i fundëm i përkatësisë. Përtej përkatësisë kombëtare qëndrojnë shtresëzime të tjera më të gjera tejkombëtare, sikurse është përkatësia në një rajon gjeografik më të gjerë. Kështu, shqiptaria, si hapësirë, brendashkruhet në hapësirën më të gjerë ballkanike, europiane, mesdhetare, planetare, etj.

Identiteti kombëtar ka pa dyshim edhe nuancat e veta kohore, që reflekton zhvillimet historike. Secila epokë dhe secili brez gdhend gjurmën e vet në ngrehinën identitare shqiptare. Aq e vërtetë është kjo, saqë edhe ai apo ato breza që i përvishen me zell zhbërjes së identitetit historik, rezultati është gjithnjë gjurma që lihet pas. Në ngrehinën identitare ruhen si gjurmët e ndërtimit, ashtu edhe ato të shkatërrimit. Ky është rasti sidomos i periudhës enveriste në Shqipëri. Regjimi komunist synoi të krijojë një njeri të ri socialist, duke minimizuar ose, madje, duke asgjësuar identitete të mëparshme fetare, rajonale apo klanore. Kjo periudhë shënoi një ndërprerje të thellë me trashëgiminë e Rilindjes, duke vendosur kontrollin shtetëror mbi çdo aspekt të jetës dhe duke promovuar një ideologji që shpesh ishte në kundërshtim me vlerat tradicionale shqiptare. Gjurmët e kësaj përpjekjeje ç’ndërtuese janë të gjalla e të pranishme në ngrehinën tonë identitare.

Jemi një, edhe pse të ndarë

Të gjendur të ndarë në shtete të ndryshme, pra në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe në diasporë, shqiptarët përballen me realitete politike dhe socio-ekonomike të ndryshme. Interesante është se në aspektin kuptimor është legjitimuar metafora e disa Shqipërive, në kuptimin që secila prej pjesëve të ndara të hapësirës kombëtare shqiptare është një Shqipëri ose, metaforikisht, edhe përkundër ndarjes: Shqipëria është një.

Megjithatë, duhet të jemi të vetëdijshëm se identiteti kombëtar shqiptar ndikohet në mënyra të ndryshme nga kontekstet politike, ekonomike dhe sociale të shteteve ku jetojnë shqiptarët. Gjendja e ndryshme në të cilën ndodhen copëzat e ndara të njësisë shqiptare imonon përgjigje dhe shqetësime po ashtu të ndryshme në përputhje me gjendjen e secilës pjesë të njësisë. Ky këndvështrim na jep të drejtë të mendojmë se përgjigjet dhe shqetësimet e ndryshme të pjesëve të ndara nuk mund të na japin të drejtën të pretendojmë se janë pjesë të ndryshme ose njësi të ndryshme kombëtare në lojë. Përkundrazi! Është më e lehtë të mbrohet ideja se është i njëjti organizëm që u përgjigjet situatave dhe shqetësimeve të ndryshme, se sa të imagjinojmë më kot se gjendjet e përkohshme të ndryshme mund të krijojnë identitete të ndryshme.

Njësia kombëtare shqiptare ka kaluar në gjendje shumë më të ndryshme dhe ndasi shumë më të mëdha se sa ato që kalon sot, por kjo nuk e ka ndikuar vetëperceptimin e përkatësisë së njëjtë etnike e kombëtare. Për shembull, shqetësimet e ndryshme të shqiptarëve në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Preshevë e nëpër diasporat e shumta shqiptare në botë është absurde të mendohet se janë gjeneratorë identitetesh të ndryshme. Procesi i ndërtimit të shtetit dhe afirmimi i identitetit kombëtar në Kosovë dhe sfidat e tranzicionit ekonomik dhe demokratik në Shqipëri nuk janë dhe nuk munden me qenë krijues identitetesh të veçanta, sepse edhe sikur të mos ekzistonte ndarja politike e sotme, do të ekzistonin ashtu sikurse kanë ekzistuar ndarje të tjera, qofshin gjeografike, klimatike, dialektore, ekonomike, etj, të cilat e kanë dëshmuar me shekuj, historikisht, shterpësinë dhe pamundësinë e tyre për të copëzuar njësinë identitare shqiptare.

Kjo nuk do të thotë se larmia gjeografike, kulturore, apo historike e shqiptarëve në këto shtete nuk krijon një sfidë në përpjekjet për të ndërtuar një identitet kombëtar të përbashkët. Në fund të fundit, janë pikërisht të tilla sfida shekullore që krijojnë përkatësitë kombëtare. Pra, ndërkohë që dallimet rajonale e pasurojnë mozaikun e identitetit shqiptar, ato gjithashtu kërkojnë një punë të vazhdueshme për ta ruajtur dhe nxitur ndjenjën e bashkimit dhe solidaritetit gjithëshqiptar. Kjo përfshin përpjekjen për të ruajtur gjuhën shqipe, traditat kulturore dhe historinë e përbashkët si elementë qendrorë të identitetit kombëtar.

Një nga elementët më përbashkues, përkundër rëndësisë së pakët që i kushtojmë në shqiptaritetin tonë, është ose, më saktë, janë diasporat shqiptare. Diaspora shqiptare sot, ashtu sikurse historikisht, luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e identitetit kombëtar. Shqiptarët e emigruar larg atdheut e këndvështrojnë Shqipërinë me filtra shumë më gjithëshqiptarë sesa një pjesë e mirë e shqiptarëve që jetojnë kryesisht brenda hapësirës gjeografike shqiptare. Emigracioni masiv gjatë dekadave të fundit ka krijuar komunitete të mëdha shqiptare jashtë kufijve të Ballkanit, veçanërisht në Europë, Amerikë dhe më gjerë. Këto komunitete jo vetëm që mbajnë gjallë elementë të kulturës dhe traditës shqiptare, por gjithashtu kontribuojnë në formimin e një identiteti kombëtar që përfshin përvoja dhe specifika të reja. Përpjekjet për t’i ruajtur lidhjet me atdheun, si dhe për të promovuar një imazh pozitiv të shqiptarëve në botë, janë thelbësore për zhvillimin e kësaj ndjenje identitare gjithëshqiptare.

Shqiptarët e kanë dëshmuar se janë në gjendje për t’i forcuar dhe ruajtur lidhjet e tyre të përbashkëta historike dhe kulturore, ndërkohë që e njohin dhe respektojnë larminë dhe veçoritë lokale. Pa dyshim se, pavarësisht nga këto dallime të natyrshme dhe joqendrore, mbisundon ndjenja e përbashkët e identitetit dhe lidhjeve historike dhe kulturore që shërben si bazë për një ideal kombëtar të unifikuar.

You may also like