Napoli-Inter është Osimhen-Lautaro. Kryendeshjen e së dielës pritet ta vendosin dy bomberat që bëjnë ligjin në Serinë A

by admin
Spread the love

I zoti i shtëpisë dhe go lashënuesi më i mirë i Serisë A në sezonin 2023-2024. I ftuari është lojtari që po bën gjithçka për t’u bërë i pari në sezonin aktual. Kush e di sesa sekrete dhe këshilla mund të shkëmbenin Viktor Osimhen dhe Lautaro Martinez, në rast se do të ishte një darkë përballë dhe jo një ndeshje e kampionatit italian.

Ka shumë duele emocionuese kur kampionët në fuqi dhe kandidatët kryesorë për të qepur trengjyrëshin e radhës në kraharor përballen me njëri-tjetrin, por nuk mund të mohohet se sa interesante është – me rikthimin e nigerianit – të shijosh sfidën mes dy sulmuesve më të fortë në Itali, lojtarët më të uritur në zonë, sulmuesit që gjysma e Europës po i ndjek me çeqe (pothuajse) të bardha për t’i bërë qendërsulmuesit e rinj të këtij apo atij klubi. Por, mes të dyve, kush është më i fortë?

NUMRAT NUK GËNJEJNË – Ka një ngërç në këtë krahasim, duke qenë se Lautaro ka qenë i pandalshëm, ndërsa Osimhen është penguar nga problemet fizike. Në të njëjtën mënyrë, viti i kaluar u dominua plotësisht nga nigeriani, me argjentinasin e shkëlqyer si gjithmonë, por më i luhatshëm se versioni aktual. Me pak fjalë, e vetmja zgjidhje e këtij ngërçi është përplasja e statistikave.

KOKË MË KOKË – Shifrat thonë se Osimhen dhe Lautaro janë shumë më të ngjashëm se sa mund të mendoni. Duke marrë parasysh vetëm paraqitjet e tyre përkatëse që kur kanë veshur fanellat e Napolit dhe Interit, dy sulmuesit janë si një fotokopje kur vjen fjala te statistikat. Të dy i kalojnë tri goditjet për ndeshje, me nigerianin që është pak më i rrezikshëm, ndërsa të dy kompletojnë rreth 45-46% të tentativave për driblime.

Po kështu, dy statistika si golat për ndeshje (65 në 113 për Viktor dhe 117 në 256 për Martinezin) apo konvertimi i rasteve të mëdha (46% me 42%) i buzëqeshin lehtësisht sulmuesit të Napolit edhe falë faktit që kolegut të tij i janë përfshirë në statistikë gjithashtu ditët e tij të para me zikaltrit si një djalë shumë i ri, kur ai ende duhej të kënaqej me minutat nga stoli. Argjentinasi u rrit në Itali, ndërsa kundërshtari i së dielës e bëri këtë midis Volfsburgut në Bundesligë dhe Lilës në Ligën 1.

ADN-ja- Nigeriani është një qendërsulmues i lindur, argjentinasi është gjithashtu shumë komod si sulmues i dytë në mbështetje të një Romelu Lukaku, një Edin Xheko apo një Marko Arnautoviç. Dhe, në fakt, shifrat tregojnë këto diferenca. “Demi” jep shumë më shumë asiste (28) se Viktor që ndalon në shifrën 10 në total me fanellën e Napolit, ndërsa ky i fundit e barazon me golat me kokë (19), por me më pak se gjysmën e ndeshjeve të luajtura.

Prandaj nuk është për t’u habitur që sulmuesi napolitan prek 43% më shumë topa në zonën e kundërshtarit, sepse Lautaro shkel më shumë zona në sulm, luan më shumë topa me shokët e tij dhe e vendos veten në shërbim të skuadrës më shumë se një finalizues i pastër si Osimhen. Nuk është për t’u habitur që ky aktuali është sezoni më i mirë i karrierës së Lautaros, megjithëse ka ardhur duke u përmirësuar vazhdimisht që kur ai jeton në Itali, pikërisht në vitin në të cilin ai nuk shoqërohet me një sulmues të parë të vërtetë, por me një shpatull perfekte si Markus Thuram. Në fund, e kaluara e afërt të imponon një arsyetim përfundimtar, i cili është integriteti fizik.

Që kur është tek Interi, argjentinasi nuk ka arritur dopioshifra për ndeshjet e humbura për shkak të lëndimit, ndërsa nigeriani, në më pak kohë, kalon lehtësisht 40 ndalesat, duke qenë padyshim më i pafat. Dhe në katër precedentët e fundit? Osimhen nuk ka fituar apo shënuar kurrë (një penallti e fituar në shkurt 2022), ndërsa Lautaro shënoi një gol nëntorin e kaluar.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

You may also like