Miqësia nuk fitohet me terrorizëm – Shqip

by admin
Spread the love

“Stokholmi nuk po respekton kushtet”

Djegia e Kuranit javën e kaluar në Suedi, po rrezikon ndjeshëm anëtarësimin e vendit në aleancën ushtarake të NATO-s. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pas një takimi me kabinetin, deklaroi se vendi i tij nuk është gati ta ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO, duke thënë se Stokholmi duhet të punojë më shumë për kushtet që Ankaraja i ka vendosur.

“Ne e kemi bërë të qartë se lufta kundër organizatave terroriste dhe islamofobisë janë vijat tona të kuqe. Të gjithë duhet ta pranojnë se miqësia e Turqisë nuk mund të fitohet duke mbështetur terrorizmin ose duke u lënë hapësirë terroristëve. Bota perëndimore nuk po ndërmerr asnjë hap, veçanërisht në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Pozicioni dhe premtimet tona që janë bërë kanë qenë të gjitha të qarta. Për momentin, ne mbrojmë të njëjtat parime që mbrojtëm vitin e kaluar. Ne vetëm duam që ata të qëndrojnë besnikë ndaj asaj që nënshkruan.”

Turqia ka vonuar dhënien e miratimit përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, duke e akuzuar vendin se është shumë e butë ndaj demonstratave dhe grupeve anti-islamike që Ankaraja i konsideron si kërcënim sigurie. Këto përfshijnë grupe militante kurde që kanë zhvilluar një kryengritje vdekjeprurëse me dekada në Turqi.

Erdogan përsëriti se Stokholmi nuk po përmbush asnjë prej kushteve për të cilat u ra dakort duke bërë që Ankaraja të qëndrojë e stepur në hapjen e dritës jeshile për anëtarësim në aleancë.

“Sulmet terroriste synojnë jo vetëm myslimanët, por të gjithë. Në shumë vende perëndimore, diskriminimi është bërë një normë sociale. Ne besojmë se mbajtja e premtimeve do të jetë një metodë më racionale dhe më e dobishme. Ne i këshillojmë ata që të shqyrtojnë kushtet, t’i zbatojnë dhe të bëjnë më mirë detyrat e shtëpisë. Është e qartë se autoritetet duhet të nxjerrin një mësim nga ky shpërthim social.”

Për t’u anëtarësuar një vend në NATO duhet të miratohet kërkesa unanimisht nga të gjitha anëtaret e aleancës. Turqia dhe Hungaria janë të vetmet vende që nuk e kanë ratifikuar ende kërkesën e Suedisë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar thirri një takim të zyrtarëve të lartë nga Turqia, Suedia dhe Finlanda, në përpjekje për t’i kapërcyer kundërshtimet turke ndaj anëtarësimit të Suedisë në aleancën ushtarake.

Klan News

You may also like