Milionerët e Hamasit, BILD: Gaza në varfëri ekstreme, krerët notojnë në luks!

by admin
Spread the love

Rripi i Gazës është parë për dekada me radhë në mbarë botën si një simbol i mjerimit dhe varfërisë së palestinezëve.

“Burgu më i madh i hapur i globit”, kështu është përshkruar territori ku janë ulur këmbëkryq skamja, uria e dëshpërimi. Por ajo që është e çuditshme, shkruan gazeta gjermane Bild, është se në brezin bregdetar sa gjysma e madhësisë së Hamburgut, e të banuar nga mbi 2 milionë vetë, janë regjistruar qindra milionerë.

Në mesin e qindra mijëra “refugjatëve”, ​​duke përfshirë deri në 40,000 terroristë të Hamasit, thotë media mjaft e njohur gjermane, ekziston një kastë biznesmenësh që kanë bërë shumë para për vite me radhë nga mjerimi, terrori dhe urrejtja që radikalët islamikë ushqejnë atje. Nëse shikoni me vëmendje Gazën me rreth 39% të papunë do të arrini të shikoni një tjetër Gazë, përtej lagjeve të varfra dhe godinave prej betoni: atë të të pasurve e zyrtarëve të Hamasit, atyre që përfitojnë nga terrori!

Ata jetojnë në vila luksoze me flori, mermer dhe pishina, nuk ngurrojnë t`i shfaqin limuzinat e tyre Mercedes në TikTok dhe të pozojnë përpara restoranteve elegante, natyrisht vetëm meshkujt, se gratë qëndrojnë vetëm në të ashtuquajturat “zona familjare”.

Më të pasurit e këtyre milionerëve të Hamasit kanë qenë prej kohësh jashtë vendit, vazhdon shkrimi, ku shijojnë luksin falë parave të zhvatura bashkatdhetarëve të tyre. Mes tyre, renditet edhe vetë kreu i grupit militant dhe i qeverisë në Gaza, Ismail Haniyeh. I fshehur jashtë vendit që nga viti 2019, 61-vjeçari baba i 13 fëmijëve, vazhdon Bild, sundon fatin e palestinezëve dhe terrorit të Hamasit nga hotelet luksoze në Turqi dhe Katar.

Ai fluturon mes Teheranit, Stambollit, Moskës dhe Kajros me avionin e tij privat, ndërsa djemtë e tij Maaz dhe Abdel Salam herë pas here publikojnë foto në Instagram nga hotele të shtrenjta në Stamboll apo në Doha të Katarit.