METEO – EBA regjistron reshjet më të mëdha në 75 vitet e fundit

by admin
Spread the love

DUBAI, 17 prill /ATSH-AA/ – Në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) u regjistrua sasia më e lartë e reshjeve të shiut në 75 vitet e fundit.

Qendra Kombëtare Meteorologjike bëri një deklaratë lidhur me reshjet e dendura që vazhdojnë në rajone të ndryshme të vendit dhe të cilat shkaktuan shtyrjen e fluturimeve dhe kalimin në metodën e arsimit dhe punës në distancë.

“Në rajone të ndryshme, gjatë 24 orëve të fundit u shënua sasia më e lartë e reshjeve në historinë moderne. Që nga viti 1949, kur kanë filluar të mblidhen të dhënat klimatike, është shënuar sasia më e lartë”, thuhet në deklaratë.

Bëhet e ditur se sasia më e madhe e reshjeve është regjistruar në rajonin Khatm Al-Shikla të qytetit Al Ain, duke arritur në 254,8 milimetra në një periudhë më pak se 24 orë.

Pritet të rritet sasia e reshjeve, e cila mbrëmë u regjistrua si një “ngjarje e jashtëzakonshme” në historinë e vendit.

Institucioni i Çështjeve Islame të EBA-së bëri thirrje për faljen e namazit në shtëpi në zonat e prekura nga reshjet.

Në një deklaratë kompania ajrore ”Etihad” njoftoi se parashikohet vonesa në fluturime për shkak të motit të keq në kryeqytetin Abu Dabi.

Komiteti Kombëtar i Emergjencave, Krizave dhe Menaxhimit të Katastrofave të EBA-së u bëri thirrje qytetarëve të “mos dalin nga shtëpitë nëse nuk është e nevojshme” në rajonet ku reshjet janë efektive./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like