Më mirë edhe se Mo Salah, Broja kërcënim për Lukakun, Werner dhe Havertz

by admin
Spread the love

Tifozët e Chelseat mund të kenë të drejtë kur mendojnë se Armando Broja do të jetë “blerja” e madhe e sezonit të ardhshëm, një lojtar i gatshëm për të lënë shenjë në “Stamford Bridge”.

Numri 9, i lindur në Slough, që tani numëron gjashtë gola për Southamptonin, por në vetëm 5 ndeshje ka luajtur që nga minuta e parë.

Pas huazimit nga “blutë” e Londrës te “Shenjtorët”, fillimisht u kritikua nga Ralph Hasenhuttl, që u shpreh se “fillimi i tij ishte i ngadaltë”, por trajneri e mori për një bisedë kokë më kokë, në zyrën e tij, duke ia bërë të qartë talentit shqiptar që çfarë priste nga ai. Që pas këtij momenti, duket se Broja po e shijon futbollin e tij. Karakteristika e tij më mbresëlënëse është shpërthimi dhe vendimmarrja në një të tretën e fundit të fushës. Në pamje të parë, Broja mund të duket sikur e mban shumë topin, por ai, me qetësinë dhe vetëbesimin që e karakterizon, kërkon opsionin më të mirë për të shënuar. Pak lojtarë të moshës së tij e kanë këtë kthjelltësi mendimi.

Talenti i tij bën që goditjet që jep të jenë të pakrahasueshme me ato të lojtarëve të tjerë, që drejton Hasenhuttl. Ka potencialin e jashtëzakonshëm që një ditë të jetë lider i padiskutueshëm i sulmit në një nga klubet në të mëdha të botës, te Chelseai apo diku tjetër.

Efikasiteti në goditje është i një shkalle të lartë. Broja shënon gol vetëm pas katër tentativave drejt portës (24%), një normë shumë më e lartë se e Che Adams (14%) dhe Adam Armstrong (5%). Me këtë statistikë ka mposhtur disa nga më të mirët e Premier League-s, si: Mo Salah (21%), Heung Min-Son (19%) dhe Romelu Lukaku (15%).

Kundër Crystal Palace, shënoi nga distanca, edhe pse kishte mundësi të shpërthente në zonë. Ishte instikti i tij që e çoi drejt këtij vendimi. Goditja e tij ishte e saktë dhe kishte fuqi të mjaftueshme për të mposhtur portierin Jack Butland.

Ishte një gol nga asgjëja, që do ta shënonte vetëm një lojtar që shpërthen me besim. Një gol i kalibrit të Danny Ings, që i bëri përshtypje kapitenit James Ward-Prowse.

“Javë pas jave, Broja është rritur gradualisht, si person. Është shumë i sigurt, gjë që është fantastike”, – tha anglezi, duke folur për uebsajtin e klubit.

“Armando është djalë i ri. Ne kemi disa djem të rinj që luajnë së bashku, gjë që është e mrekullueshme. Ai e udhëhoqi mirë linjën e sulmit. Është i fortë fizikisht, mund të vrapojë, të mbajë topin, ka aftësi të shkëlqyera teknike.”

Chelsea-t nuk i munguan ofertat për Brojën në verë, por në fund vendosi ta huazonte te Southamptoni, ku sulmuesi shqiptar ka mbështetjen e përditshme të bashkëlojtarëve të fëmijërisë, Dynel Simeu dhe Tino Livramento. Tashmë ai është bërë mik i ngushtë me Nathan Tella dhe Yan Valery.

Broja është vetëm 20 vjeç, me mundësi të mëdha përmirësimi. Thomas Thuchel që tani po fërkon duart, duke ëndërruar që verën e ardhshme do ta kthejë Brojën në “Stamford Bridge” si “bomberin” e Premier League-s. Nëse nuk do të huazohet sërish, një mes Kai Havertz, Romelu Lukakut ose Timo Wernerit duhet të gjejë ekip tjetër./ Supersport


Top Channel

You may also like