Mbi 30 foshnje të sapolindura evakuohen nga spitali Al-Shifa për në Egjipt

by admin
Spread the love

Forcat izraelite po vazhdojnë operacionin në dhe përreth spitalit më të madh të Gazës, Al-Shifa ndërsa njoftojnë për katër qëllime kryesore, një prej të cilave është edhe zbulimi i qendrave komanduese të Hamasit që Izraeli beson se gjenden nën spital.

Ndërsa ky operacion vazhdon, nga spitali Al-Shifa sot (të dielën) janë evakuar mbi 30 foshnje të sapolindura për në një spital fushor në Rafah të Egjiptit.

Mbi 30 foshnje u evakuuan nga spitali kryesor i Gazës Al Shifa të dielën dhe u dërguan në Egjipt, njoftuan zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Foshnjet e evakuara janë dërguar në një spital të drejtuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në qytetin kufitar egjiptian, Rafah

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite konfirmoi se atyre iu është kërkuar të krijojnë një korridor për të mundësuar evakuimet nga Al-Shifa.

“Ne kemi krijuar një korridor që ata të dalin nga spitali dhe më pas të shkojnë drejt pjesës jugore të Rripit të Gazës”, thotë Peter Lerner, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Fati i të porsalindurve në Spitalin Al-Shifa kishte tërhequr vëmendjen globale pas publikimit të imazheve që tregonin mjekët që përpiqeshin t’i mbanin ata ngrohtë, pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike që nxorri jashtë funksionit inkubatorë dhe pajisje të tjera mjekësore. Ushqimi, uji dhe furnizimet mjekësore mbaruan ndërsa forcat izraelite luftuan me militantët palestinezë afër spitalit.

Organizata Botërore e Shëndetësis njoftoi se rreth 2,500 persona të zhvendosur, pacientë dhe personel mjekësor janë larguar nga Al-Shifa të shtunën në mëngjes. OBSH njoftoi gjithashtu se 25 pjesëtarë të personelit mjekësor kanë mbetur në spital krahas pacientëve në gjendje të rëndë.

Izraeli ka thënë prej kohësh se grupi militant palestinez Hamas ka një qendër komandimi nën spitalin Al-Shifa.

“Forcat tona po vazhdojnë operacionin në spital me katër qëllime kryesore – e para është gjetja e pengjeve. E dyta, gjetja e armëve dhe qendra e komandës dhe kontrollit të Hamasit. E treta, kapja e terroristëve që ndodhen në zonën e spitalit dhe e katërta, përpjekja për të ekspozuar atë çka ndodhet nën spital dhe për ta shkatërruar atë”, thotë Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

“Ne kemi bërë thirrje disa herë që të ketë komisione hetimore ndërkombëtare për të shqyrtuar këto akuza izraelite në lidhje me përdorimin e shkollave dhe spitaleve për përdorime ushtarake siç pretendojnë ata, por fatkeqësisht nuk kemi parë asnjë lëvizje në këtë drejtim dhe tani kërkojmë gjithashtu që të ketë një komision ndërkombëtar hetimor për të hetuar këto krime të kryera kundër civilëve”, tha të dielën kryeministri i Katarit, Al Thani në Doha gjatë një konference të përbashkët me shefin e BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Trupat izraelite që janë vendosur në spital dhe kanë bastisur terrenin e tij për ditë të tëra thonë se kanë gjetur armë dhe pajisje të tjera ushtarake si dhe kanë ofruar pamje filmike të asaj që thonë se është hyrja e një tuneli.


Top Channel

You may also like