LSDM akuzon Mickoskin për agjendë antieuropiane, VMRO kundërpërgjigjet: S’ka ndryshime nën diktat bullgar

by admin
Spread the love

Ndryshimet kushtetuese janë mundësia e fundit që VMRO-DPMNE dhe kryetari i saj Hristijan Mickoski të rreshtohen në anën e interesit të qytetarëve dhe shtetit, e me këtë të dëshmojnë se janë pro anëtarësimit të vendit në BE, thotë deputeti i LSDM-së Martin Kostovski.

“Me deklaratat e tij të fundit, Hristijan Mickoski duket se po e arsyeton bllokadën e deritanishme nga Bullgaria. Mickoski, nën pengun e Dimitar Apasiev, po bën gjithçka për ta distancuar vendin nga BE-ja. Mickoski duhet ta dijë se nuk ka agjendë evropiane dhe maqedonase, agjenda evropiane është edhe agjenda maqedonase, përcaktim strategjik i shumicës dërrmuese të qytetarëve. Çdokush që dëshiron ta largojë Maqedoninë nga agjenda europiane, punon për interesa të huaja dhe nuk ia mendon të mirën shtetit dhe qytetarëve”, theksoi Martin Kostovski, LSDM.

Ndaj këtyre fjalëve të Kostovskit, reagoi opozitarja VMRO-DPMNE, duke ripërsëritur qëndimin e saj se ndryshime kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të ketë dhe se zgjedhjet mbeten mënyra e vetme që populli të vendosë për të ardhmen e tij.

“Martin Kostovski, si dhe e gjithë LSD-ja dhe Kovaçevski duhet ta dinë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nën diktatin e Bullgarisë. Kështu thonë mbi 80% e qytetarëve në Maqedoni dhe prej tyre buron sovraniteti i Maqedonisë. Populli e pa që LSD ka lidhje me vlerat evropiane vetëm kur bëhet fjalë për abuzime me fondet evropiane dhe vjedhje të eurove. Ne e dimë që LSD-ja është nervoze sepse propaganda që ata drejtonin shpërtheu si flluskë sapuni dhe i gjithë opinioni e pa se nuk kishin shumicë për ndryshime kushtetuese nën diktimin bullgar”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Dje, me 10 vota për dhe 7 kundër u miratuan konkluzionet e Komisionit Kushtetues për propozimin për ndryshimin e Kushtetutës. Për më 18 gusht është caktuar seancën plenare për debat për ndryshimin e aktit më të lartë juridik. Aty duhet të miratohet nevoja për ndryshime kushtetuese, e cila kërkon shumicë prej 2/3, d.m.th. 80 vota të deputetëve.

You may also like