Kurti takon regjistruesit dhe mbikëqyrësit që po merren me Regjistrimin e Popullsisë – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një takim me regjistrues dhe mbikëqyrës, të cilët janë në proces të regjistrimit të popullsisë, takimi ky që u mbajt në qytetin e Gjilanit.

Duke shprehur kënaqësinë që ndodhet në mesin e tyre, në një kohë kur po e zhvillojmë një proces tejet të rëndësishëm në vendin tonë, kryeministri Kurti tha se për të ardhmen e shtetit shumë do të varet nga puna e këtyre javëve të mbetura në procesin e regjistrimit, që nisi me 5 prill.

“Do të prodhohen të dhëna të shumta që do t’iu ndihmojnë, jo vetëm vendimmarrësve, por edhe shfrytëzuesve të tjerë sikurse Qeveria e shoqëria civile, pastaj bizneset, donatorët e investitorët, që të hartojnë politika, të zhvillojnë strategji, programe e produkte dhe të ofrojnë shërbime, që t’i plotësojnë nevojat e qytetarëve e i respektojnë të drejtat e tyre”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se ndarjet buxhetore që do të bëhen, do të bazohen gjithashtu në regjistrimin e popullsisë.

Teksa theksoi aspektet me rëndësi madhore të këtij procesi, ai veçoi dhe efektet pozitive që i ka, si parashikimet dhe planifikimet që do të bazohen në regjistrimin e popullsisë të cilat do të shërbejnë për një shpërndarje sa më të drejtë e të barabartë.

Kryeministri shprehu përsëri dhe përkrahjen e parezervë në këtë proces: “Ne jemi mbështetje për juve, por në ballë të kësaj beteje shumë të rëndësishme, që i tejkalon ciklet elektorale, jeni ju edhe unë ju falënderoj për punën dhe angazhimin që po e bëni deri tash edhe zotohemi që do t’ju mbështesim për punën e mëtutjeshme dhe për sfidat që do të mund t’iu dalin në rrugën tuaj drejt regjistrimit të popullsisë anembanë.”

You may also like