Kurti kujton 7 prillin e vitit 1939 ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste – Shqip

by admin
Spread the love

Në  85 vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste kryeministri i Kosovës, Albin kurti ka thënë se plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Kurti ka shkruar se rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

“Në historinë moderne të shqiptarëve, data 7 prill 1939, është fiksuar si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Sot u bënë 85 vite nga ajo ditë. Mes zhvillimeve që i paraprinë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ngjau ndërmjet aneksimit të Austrisë nga Gjermania më 12 e 13 mars 1938, të njohur edhe si Anschluß, dhe sulmit pushtues të Gjermanisë mbi Poloninë më 1 shtator 1939, kur edhe filloi Lufta e Dytë Botërore”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kryeministri Kurti më tej ka shkruar: “Në ora 05:30 të mëngjesit të 7 prillit të vitit 1939, plot 22,000 ushtarë italianë me anije luftarake dhe transportuese, me avionë dhe me tankse e sulmuan territorin e Mbretërisë së Shqipërisë në katër portet e saj kryesore: në Vlorë, Shëngjin, Durrës dhe Sarandë. E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku. Në mesditë, Durrësi ishte plotësisht në duart e italianëve. Tirana u mor mëngjesin e 8 prillit, kurse brenda tre ditësh trupat italiane arritën edhe në zonat më kufitare të terriorit shqiptar”.

Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria. Plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Dy vjet më pas, më 6 prill 1941 kur Gjermania e sulmoi dhe e pushtoi Jugosllavinë, shumica e territorit të Kosovës iu bashkua zonës italiane të pushtimit nën Mbretërinë e Shqipërisë. Historia e shqiptarëve gjatë atyre viteve të Luftës së Dytë Botërore, ka shumë zhvillime specifike që u takojnë historisë dhe historianëve t’i studiojnë dhe përshkruajnë. Ajo që përkujtojmë ne sot në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste”, ka shrkuar Kurti në Facebook.

You may also like