Kurti: Atentatorët që vranë Gjingjiqin ishin edhe organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët

by admin
Spread the love

Kryeministri i Kosovës, e ka përkujtuar ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiqin, në 20-vjetorin e vrasjes së tij.

Kurti ka thënë se Gjingjiq, ishte ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin, përcjell Klankosova.tv.

“Qeveria e Serbisë do të ketë qenë duke e menduar tashmë shënimin e 100 vjetorit të vrasjes makabre të mbretit Aleksandar Obrenoviq, gruas së tij e dy vëllezërve të tij, kryetarit të qeverisë dhe ministrit të tij të ushtrisë. Dy muaj e gjysmë ishte larg ky përvjetor shekullor, kur u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndër liderët politikë të rrallë të Serbisë që nuk bashkëpunoi me Millosheviqin ndonëse nuk e zgjidhi ndonjëherë kundërthënien ndërmjet liberalizmit (perëndimor) dhe nacionalizmit (serb)”, shkroi Kurti në Facebook.

Kurti, tha se Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe.

“Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t”.

Ai theksoi se ‘atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera)’.

“Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera). Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz. Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë”, shtoi ai.

Kurti theksoi se me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat arritur në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani sipas tij, ajo ka rënë te 1/3.

“Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci. Me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat mbërrirë në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani ajo ka rënë te 1/3. Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lotë të rrejshëm. Koha që rrodhi pas tij, shtoi peshë në anën e kundërt të demokracisë. Koha që po vjen, nuk duket se do ndryshojë gjë së shpejti atje”, u shpreh Kurti.

You may also like